
Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, deklaroi se Policia ushtroi dhunë të pajustifikuar dhe veproi me motive politike gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë.
Baçi akuzoi forcat e rendit se u sollën si “polici politike”, me synim intimidimin dhe frikësimin e protestuesve. Sipas tij, prania e oficerëve ishte e pazakontë, me mbi 1000 efektivë të angazhuar në terren.
Deputet i PD theksoi se strukturat policore ishin të përgatitura për përplasje dhe se ndërhyrja nisi që në fillim të tubimit.
“Dhuna policore nisi që në fillim dhe vazhdoi deri në fund të protestës, duke kulmuar me hedhjen e gazit lotsjellës edhe pranë selisë së Partisë Demokratike, ku pati përplasje të drejtpërdrejta”, u shpreh Baçi për "Syri Tv".
Deputeti demokrat kritikoi veçanërisht mënyrën e ndalimit të qytetarëve. Sipas tij, policia nuk ka zbatuar procedurat ligjore, por ka shoqëruar dhe ndaluar edhe kalimtarë që nuk po merrnin pjesë në protestë.
Baçi deklaroi se disa efektivë, me fytyrë të mbuluar, kanë shoqëruar qytetarë pa u komunikuar arsyet e ndalimit apo të drejtat procedurale. Ai shtoi se kishte vizituar Komisariatin Nr. 3, ku, sipas tij, 16 persona mbaheshin të ndaluar në kushte izolimi.
Baçi paralajmëroi se Partia Demokratike do të depozitojë kallëzime penale ndaj efektivëve të policisë për veprimet gjatë protestës.
"Kjo nuk është një polici e shtetit ligjor, por një polici mirëfilltas politike që merr urdhra politikë dhe vepron si një organizatë e Partisë Socialiste", përfundoi ai.
Lini një Përgjigje