Një protestë e zhvilluar në Tiranë, e thirrur nga përfaqësues të Partisë Demokratike, është shoqëruar me incidente dhe përplasje, duke sjellë reagimin e autoriteteve ligjzbatuese.
Sipas burimeve paraprake, organizatori i tubimit, deputeti i PD-së Klevis Balliu, është marrë nën hetim lidhur me rolin e tij në organizimin dhe mbarëvajtjen e protestës.
Klevis Balliu, sipas policisë akuzohet për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Policia bën me dije se nga protesta e djeshme janë sekuestruar 25 molotovë të pashpërthyer, 27 celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Ndërkohë 52 persona janë shoqëruar në total pas protestës së opozitës të premten e 20 shkurtit. Gazetari Besar Bajraktaraj ka mësuar se prej tyre 17 janë arrestuar, ndërsa 35 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Kujtojmë se edhe ky tubim i PD-së u shënua me incidente. Protestuesit hodhën bomba molotov ndërsa nga ana tjetër policia u kundërpërgjigj me ujë me presion dhe gaz lotsjellës.
Protesta e katërt kombëtare zgjati pak më shumë se 3 orë. Ndryshe nga herët e shkuara, edhe kryedemokrati Sali Berisha iu bashkua turmës, me maskë anti-gaz e syze mbrojtëse.
Ai dënoi “sulmin ndaj selisë blu dhe veprimet e Policisë”.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, zyra e shtypit e PD-së denoncon forcat e Policisë, që sipas PD, kanë sulmuar selinë e opozitës pas protestës paqësore, e duke sjellë kaos, të lënduar dhe të plagosur.
“Sasi të mëdha gazi lotsjellës janë hedhur në oborrin, mjediset dhe deri te zyrat e drejtuesve të Partisë Demokratike, forca kryesore e opozitës, pak minuta pas protestës kombëtare të 20 shkurtit, e organizuar në bashkëpunim me një grup intelektualësh të pavarur, nën siglën e Forumit të Dialogut Qytetar, në përkujtim të rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha dhe revoltës për skandalet korruptive të qeverisë Rama. Forcat e Policisë kanë sulmuar selinë e forcës kryesore të opozitës pas një proteste paqësore, e disata në dy muajt e fundit, duke sjellë kaos, të lënduar dhe të plagosur”.
Sipas PD-së gazi lotsjellës ka ndikuar dhe ndërprerë dhe faljen e besimtarëve myslimanë të cilët janë në ditën e të tretë të muajit të Ramazanit, ndërsa plagosja e protestuesve, sipas saj ishte një akt i paralajmëruar nga policia.
Partia Demokratike mban përgjegjës direkt drejtorin e Policisë të lidhur me bandat kriminale, ministren e Brendshme dhe Kryeministrin Rama, urdhri i të cilit qëndron pas kësaj dhune të pashembullt policore dhe politike”, përfundon deklarata.
N.q.s kjo proteste quhet e dhunshme,nuk e di Po cfare te them per protestant e tjera neper bote,ne afrike I vune flaken parlamentit,ne amerikes sulmuan parlamentin,ne greqi gjithmone behet potere e madhe,ku di une PSE quhet e dhunshme protesta?