Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka reaguar pas protestës së organizuar nga Partia Demokratike. Ai u shpreh se një betejë politike kërkon qëndresë të vazhdueshme dhe jo mobilizim të përkohshëm.
Në një deklaratë publike, Lapaj ironizoi duke thënë se kishte marrë ftesa nga mbështetës të Partisë Demokratike për t’iu bashkuar protestës, por vuri në dyshim qëllimin e saj.
“Shumë demokratë po më thoshin ‘Adriatik na u bashkoni’, por i thashë: t’u bashkohemi për çfarë? Nëse është për të qëndruar në shesh dhe ta detyrojmë Edi Ramën të tërhiqet, këtu jemi, dakord. Por t’u bashkohemi që pas dy orësh të ikim prapë, nuk e bëjmë këtë punë", deklaroi ai.
Lapaj theksoi se, sipas tij, përmes një qëndrimi të zgjatur në shesh, çështja merr vëmendje më të gjerë dhe rritet presioni politik.
“Përmes qëndresës nuk po lëmë që të mbyllet kjo plagë, po bëjmë presion edhe mbi vetë aktorë të tjerë opozitarë që të vijnë këtu e të përballen", shtoi ai.
Lini një Përgjigje