Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u ka përcjellë shqiptarëve një mesazh mbi rëndësinë e ruajtjes dhe trashëgimit të gjuhës shqipe.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, Kreu i Shtetit publikoi një video-mesazh me interpretimin e poezisë “Gjuha shqype”. Poezia u interpretua nga nxënës të shkollës 9-vjeçare “Selim Alliu” në Peshkopi, e cila mban aktualisht titullin fituese e konkursit kombëtar të gjuhës shqipe.
“Krenar për gjuhën tonë amtare shqipe. Ta duam, ta ruajmë, ta përcjellim brez pas brezi dhe ta flasim bukur gjuhën tonë amtare,” shprehet Presidenti i Republikës.
Përmes këtij mesazhi, Presidenti Begaj synon të rrisë ndërgjegjësimin e çdo shqiptari për ruajtjen, kultivimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe.
Vargjet e Fishtës, ashtu si në kohën kur u shkruan, vijojnë të mbartin të njëjtin mesazh për bukurinë e shqipes, për domosdoshmërinë e përcjelljes së saj ndër breza dhe për ruajtjen e saj në krahina e besime të ndryshme, si një ndër elementët themelorë të identitetit kombëtar.
Lini një Përgjigje