Në korridoret e diplomacisë shqiptare tregohet me çudi që pavarësisht kësaj, një individ me emrin, Uran Ferizi, që nuk ka jetuar asnjë ditë në Shqipëri, nuk ka as formim e as karrierë në diplomaci do të përfaqësojë Shqipërinë në një nga qendrat kryesore të diplomacisë botërore...
Korridoret e Ministrisë së Punëve të Jashtme gëlojnë nga thashethemet këto ditë, dhe jo aq pa të drejtë.
Nuk kishte ndodhur ndonjëherë deri më sot që një seancë dëgjimore për emërimin e një ambasadori të dështojë sepse kandidati që kërkon të marrë këtë post nuk paraqitet meqë shteti- pra e thënë më shqip, punëdhënësi që, në fund të fundit, ky kandidati duhet t'i mbushë mendjen për të fituar punën - kërkon udhëtim në Business Class, hotel me 5 yje dhe të tjera kushte të paguara nga shteti, në menyrë që "të nderojë me praninë e tij" ekspertët e seancës dëgjimore.
Intervista ka dështuar pra, sepse një emër krejt pa lidhje me diplomacinë shqiptare, por që me porosi të Bablokut është paracaktuar të jetë Ambasador i Shqipërisë Mbretërinë e Bashkuar, nuk ka begenisur të paraqitet.
Ama, në korridoret e diplomacisë shqiptare tregohet me çudi që pavarësisht kësaj, një individ me emrin, Uran Ferizi, që nuk ka jetuar asnjë ditë në Shqipëri, nuk ka as formim e as karrierë në diplomaci do të përfaqësojë Shqipërinë në një nga qendrat kryesore të diplomacisë botërore.
Por nga ka ardhur kjo kandidaturë e çuditshme që ka trazuar ujërat dhe u hap rrugë, jo pa te drejtë, teorive konspirative dhe lidhjeve të nëndheshme të Edi Ramës.
Uran Ferizi ka lindur në Shqipëri në vitin 1981, me origjinë nga Kosova, dhe e vetmja gjë që mund të thuhet me siguri për të është që; pasi është lodhur nga jeta akademike, falë lidhjeve të çuditshme me Bablokun shqiptar, ka zgjedhur të jetë ambasador i Shqipërisë e, meqë nga këtej kufirit i kanë thënë "prishur mos qoftë kjo ujdi", është gati të marrë detyrën. Madje me siguri do të ishte në tavolinën e Presidentit për firmë nëse nuk do të kishte ndodhur ky llastimi i orës së fundit që, në këmbim të intervistës kërkonte bileta Business Class dhe hotele luksi ku të qëndronte.
Në jetëshkrimin e dorëzuar në ministri thuhet se Uran Ferizi është diplomuar në vitin 2007 për Matematikë në Universitetin e Oksfordit, ka përfunduar studimet Master për Inxhinieri Biomjekësore dhe në vitin 2014 ka përfunduar studimet e doktoraturës në Modelimin Matematikor, në Universitetin College, Londër, në Departamentin e Shkencave kompjuterike dhe Institutin e Neurologjisë, me temë, "Përzgjedhja e modeleve për të dhënat e trurit të përfituara nga diffusion-MRI".
Vitet e para, pas diplomimit, kandidati për Ambasador i Shqipërisë, ka një karrierë në kompani të ndryshme me drejtim financiar dhe më pas ka ndjekur një karrierë të përqëndruar plotësisht në fushën e kërkimit shkencor.
Asnjë gjurmë formimi diplomatik. Asnjë!
Ama, me porosi nga lart dhe zbatim nga poshtë, ai do të marrë drejtimin e Ambasadës tonë në Londër, vendin ku i pëlqen të jetojë, sidomos tani që ka ndër mend të heqë dorë nga jeta akademike dhe të provojë një eksperiencë të re dhe nivele të larta adrenaline në jetën e tij.
Po kush është ky njeri?
Kush ia këshilloi Kryeministrit tonë për ambasador?
A erdhi propozimi i tij nga Kosova, prej nga ka origjinën, apo e ka njohje personale?
Nuk ka ndodhur ndonjëherë që Babloku tu përgjigjet pyetjeve te medias dhe as nuk kemi shpresë për këtë. Ama kemi të drejtë të vëmë në pikëpyetje dhe të shohim me dyshim urdhra të tillë që pasi kanë shkatërruar administratën duke larguar çdo profesionist nga vendi, dora e dalë nga thellësitë e errëta dhe të dyshimta është shtrirë edhe në tregun diplomatik shqiptar. Ku padiskutim ka plot profesionistë me eksperiencë për të zgjedhur për Ambasadën tonë në Londër dhe jo vetëm./Pamfleti
Lini një Përgjigje