
Vijon mbledhja e grupit të PS, diskutohet dhe për imunitetin e zv/kryeministres...
Zbardhen detaje nga mbledhja e grupit të Partisë Socialiste, e cila zgjat që prej paradites. Përveç fjalës që kanë mbajtur ministrat, ka pasur edhe diskutime me dyer të mbyllura, ku padyshim fokusi ka qenë te kërkesa e SPAK për t’i hequr imunitetin ministres Belinda Balluku.
Deputetët kanë qenë njëzëri kundër heqjes së imunitetit, me argumentin se pezullimi është i mjaftueshëm në këtë fazë të hetimeve. Megjithatë, nuk ka ende një vendim final se si do të votohet.
Vetë Rama tha në fjalën e tij se, pasi të shohë raportin e Këshillit të Mandateve, do të merret vendimi final. Mirëpo vetë socialistët në Këshillin e Mandateve kanë paralajmëruar një raport kundër heqjes së imunitetit. Masat e marra nga SPAK deri tani për Ballukun janë të mjaftueshme për hetimin”, tha Ulsi Manja.
Në të njëjtën linjë ishte edhe Taulant Balla, i cili u shpreh se ata nuk mund të pajtohen me kërkesën e PD që të ketë heqje të menjëhershme të imunitetit.
“Askush nuk është i fajshëm sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë të gjykatës. Pala tjetër nuk kishte nevojë për shqyrtim, se e kishin marrë vendimin e tyre për qëndrimin. Në rastin tonë, në emër të 5 deputetëve të PS, kam informuar Këshillin e Mandateve se, sa i përket propozimit të grupit të PD për dhënien e autorizimit, ne nuk ishim dakord me atë mënyrë si është propozuar dhe do të kemi një diskutim dhe një informim nga ana ime në mbledhjen e parë të grupit parlamentar të PS. Nuk e jep autorizimin Këshilli, por e jep seanca plenare”, tha Balla pas mbledhjes së Këshillit.
Vetë Balluku mungonte në këtë mbledhje të grupit parlamentar në Pallatin e Brigadave. Ndërkohë, do të duhet të presim se cili do të jetë vendimi zyrtar, edhe pse, mesa kuptohet, nuk do të lejohet arrestimi i zv/kryeministres.
Lini një Përgjigje