
Gjyqtarja Irena Gjoka, argumentoi se shtyrja e shpalljes së vendimit bëhet për tu dhënë kohë avokatëve që kërkuan sot të njihen me regjistrimet audio dhe të procesverbaleve e seancave të fundit...
Gjykata e Posaçme nuk ja ka dalë as sot të marrë një vendim për të vendosur në masë arresti ish-kryeministrin Sali Berisha.
Në orën 15.00 pritej të merrej vendimi mbi kërkesën e SPAK për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj Berishës, por edhe sot gjyqtarja Irena Gjoka nuk ka marrë një vendim. Avokatët kanë kërkuar largimin e saj dhe gjyqtarja u ka dhënë atyre kohë, duke e shtyre seancën për ditën e shtunë në orën 12.00.
Gjyqtarja Irena Gjoka, argumentoi se shtyrja e shpalljes së vendimit bëhet për tu dhënë kohë avokatëve që kërkuan sot të njihen me regjistrimet audio dhe të procesverbaleve e seancave të fundit të zhvilluara në GJKKO. Mbrojtësit ligjorë të ish kryeministrit Berisha, prentendojnë se gjyqtarja Gjoka ka qenë e njëanshme ndaj kërkesave të tyre, ndaj ka kërkuar marrjen në dispozicion të materialeve audio dhe procesverbaleve të seancës.
Berisha akuzohet për korrupsion me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Ndaj tij GJKKO vendosi fillimisht “detyrim paraqitje”, ndërkohë që ndaj dhëndrit të Berishës u lëshua urdhër-arresti, që Apeli më pas e la edhe Jamarbër Malltezin në “arrest shtëpie”. Por Berisha e sfidoi drejtësinë. Ai nuk pranoi të zbatonte masën e sigurisë dhe SPAK ju drejtua me një kërkesë Kuvendit, duke kërkuar që t’i hiqej imuniteti. Kuvendi e pranoi kërkesën dhe SPAK kërkoi në GJKKO “arrest në banesë”, si dhe ruajtje me polic te dera dhe ndërprerje të kontakteve me persona jashtë familjes.
Pritej që vendimi të merrej dje, por seanca u shty për sot, pasi gjyqtarja Irena Gjoka, e gjeti veten në pamundësi për të shpallur vendimin, pas kërkesës së bërë nga avokatët për përjashtimin e saj. Por si duket edhe sot dështoi seanca, pasi avokatët pretendojnë se kanë 3 ditë kohë të argumentojnë kërkesën për përjashtimin e gjyqtares dhe Gjoka u ka dhënë kohën e nevojshme.
Sali Berisha dhe Malltezi janë marrë të pandehur për abuzime me privatizimin e pronave te ish-Kompleksi "Partizani". Prokuroria shprehet se nga ana e ish-kryeministrit është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Ndërsa Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”.
“Në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M. Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij”, shprehet SPAK për Berishën.
Ndërsa sa i takon Malltezit, prokuroria deklaron në dosje se: Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, u bë me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga Malltezi;
Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë Malltezi;
Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro. /Pamfleti
Lini një Përgjigje