Ditën e sotme deputetët do të rikthehen në seancë plenare në orën 17:00, seancën e parë kjo pas akuzave për korrupsion të ngritura nga SPAK ndaj ish-kryeministrit demokrat Sali Berisha dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.
Seanca e sotme, pritet të zhvillohet me përplasje mes opozitës dhe maxhorancës.
Për shkak të kaosit që krijuan javën e kaluar, 23 deputetë të opozitës, rezultojnë të përjashtuar. Me kërkesë të deputetëve socialistë, mes të përjashtuarve janë kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi si dhe kreu i Rithemelimit Sali Berisha.
Por, pavarësisht vendimit, Bardhi ka deklaruar se të përjashtuarit do të jenë në Kuvend, pasi sipas tij, afati për përjashtimin me 10 ditë, përfundon më 29 tetor, dhe jo më 30, sikurse thuhet në vendimin e vulosur me votat e socialistëve në Sekretariatin e Etikës.
Në faqen zyrtare të Kuvendit, krahas lajmërimit për seancën e të hënës, është publikuar edhe vendimi që ndalon dhjetëra deputetë të opozitës të jenë të pranishëm në sallë.
Janë plot 23 deputetë të opozitës të përjashtuar nga punimet e seancës së pasdites dhe për këtë fakt është njoftuar edhe është vënë në gadishmëri edhe Garda e Republikës, si institucioni përgjegjës për sigurinë e ligjvënësve shqiptarë në sallën e Kuvendit.
Vetë ligjvënësit demokratë kanë deklaruar se administrata e Kuvendit i ka bërë llogaritë gabim, pasi sipas tyre vendimi është marrë me datë 19 tetor. Pra, thonë ata, nga data 19 deri më datën 29, një ditë para seancës janë 11 ditë, çka do të thotë që 10 ditë përjashtim mbyllen me datën 28.
Por edhë nëse numërimi i ditëve të përjashtimit nis një ditë pas vendimit, pra me datën 20, atëherë deputetëve u mbaron dënimi 10 ditor mesnatën e datës 29."
Konkretisht, në 19 tetor, 23 deputetë të opozitës, përfshirë Sali Berishën dhe Gazmend Bardhin u përjashtuan për 10 ditë pasi bllokuan sallën e Kuvendit, me pretendim se mazhoranca u ka bllokuar çdo nismë ligjore, përfshirë ato për ngritjen e 6 komisioneve hetimore.
Por, si Gazment Bardhi edhe Sali Berisha kanë thënë gjatë ditës së djeshme se do të jenë në seancën e sotme plenare.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, i drejtuar nga Gazment Bardhi ka vendosur që të gjithë deputetët të jenë të pranishëm dhe të mblidhen para ndërtesës së Parlamentit në orën 16:30 minuta për të shkuar në grup në seancë.
Përballja e Berishës me PS
Ish kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar se dita e sotme mund të rikthejë tensionet në derë të Kuvendit, duke e kthyer sallën e seancave plenare në fushë-betejën e politikës shqiptare.
Konkretisht, Berisha bëri dje thirrje që demokratët dhe opozitarët të ngrihen në betejë kundër regjimit të Edi Ramës.
Me një video mesazh në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Berisha u shpreh se tani është koha për betejë.“Ka 8 vite që me egërsinë më të madhe, përdor pushtetin kundër shqiptarëve. Ne nuk mund të pajtohemi më me këtë situatë, me një Vuçiç të dytë në Tiranë, me një Pashiq shqipfolës në Tiranë.
Tani është koha për betejë, tani është koha të ngrihemi. Një komb pa opozitë është një komb pa shpirt. Për çdo shqiptar është koha për të zgjedhur mes kombit dhe flamurit, apo nënshtrimit dhe poshtërimit”, tha dje Sali Berisha në videomesazhin e tij.
Lini një Përgjigje