TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Mars 2026, 15:59

Deklarata e Marta Kos, reagon Bardhi: E papranueshme, fajtor për korrupsionin është Rama jo shqiptarët

Shkruar nga Pamfleti
Deklarata e Marta Kos, reagon Bardhi: E papranueshme, fajtor për
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar ndaj deklaratave të Komisioneres së Zgjerimit të Bashkimit Europian, Marta Kos, të bëra gjatë një interviste për “Politico”.

Në një postim në rrjete sociale, Bardhi e cilësoi të papranueshëm qëndrimin e komisioneres, duke theksuar se ajo, ka bërë përgjegjëse shoqërinë shqiptare për fenomenin e korrupsionit në vend.

Ai u shpreh se shqiptarët nuk e pranojnë korrupsionin dhe nuk mund të konsiderohen si një shoqëri e korruptuar, duke shtuar se përgjegjësia për raste konkrete është individuale.

Bardhi drejtoi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si përgjegjës për mbrojtjen e korrupsionit në nivele qeveritare.

Në deklaratën e tij, Bardhi përmendi edhe çështje konkrete, duke pretenduar se raste të caktuara korrupsioni janë mbrojtur politikisht, ndërsa theksoi se SPAK, sipas tij, nuk pengohet nga qytetarët, por nga ndërhyrjet politike në hetime.

Në përfundim, ai i kërkoi institucioneve të Bashkimit Europian të distancohen nga deklarata të tilla, të cilat i cilësoi si përgjithësime të papërshtatshme dhe fyese për shoqërinë shqiptare, duke nënvizuar se shqiptarët mbeten ndër popujt më proeuropianë.

“I pabesueshëm qëndrimi i Komisioneres së Zgjerimit znj. Marta Kos, që është shpërndarë në median shqiptare në vijim të një interviste të saj në Politico, që bën bashkëpërgjegjës për korrupsionin e Edi Ramës shoqërinë shqiptare.

Jo e nderuar znj. Komisionere;

Shoqëria shqiptare nuk e pranon korrupsionin, shqiptarët nuk janë të korruptuar.

Përgjegjësia për korrupsionin dhe pranimin e mbrojtjen e tij është vetëm personale e Edi Ramës. Korrupsionin e Belinda Ballukut nuk e kanë pranuar shqiptarët, por e ka mbrojtur Edi Rama me deputetët - kartona në Kuvendin e Shqipërisë. SPAK nuk po e pengon shoqëria shqiptare të luftojë korrupsionin, por po e pengon Edi Rama që po ndërhynë në hetimet e një çështje konkrete.

Ju nuk keni asnjë të drejtë të fyeni shoqërinë shqiptare, që është populli më proeuropian në botë. Ne e përbuzim përgjithësimin dhe vlerësimin tuaj për shoqërinë shqiptare, dhe kërkojmë me këmbëngulje distancimin e institucioneve europiane mbi përgjithësime të tilla të papërshtashme për shqiptarët.”, shkruan Bardhi.

Lini një Përgjigje