Të mërkurën mblidhet Këshilli Kombëtar i PD
Pas mbledhjes së Kryesisë, Sali Berisha ka vendosur të thërrasë Këshillin Kombëtar të PD.
Pak ditë më parë pati akuza nga Salianji se Këshilli ka shumë kohë që nuk mblidhet. Por mësohet se Kryesia e Partisë Demokratike ka njoftuar zyrtarisht se mbledhja e Këshillit Kombëtar do të zhvillohet ditën e mërkurë, më 17:00, ku do të diskutohen zhvillimet politike në vend, qëndrimet aktuale të partisë dhe organizimi i protestës së paralajmëruar për 22 dhjetor.
Sipas njoftimit, pjesë e rendit të ditës do të jetë analiza e situatës politike, por edhe koordinimi i aksionit opozitar për muajt në vijim.
Dje u mblodh Kryesia e PD, ku pati debate të forta për 4 orë. Sali Berisha, në rolin e kryetarit, tha se PD duhet të kërkojë ndjesë publike për mbështetjen ndaj Endri Shabanit për Avokat Populli, dhe e quajti një hap të gabuar që nuk duhet përsëritur, duke pranuar se kjo situatë i jep Ramës edhe më shumë kontroll mbi institucionet. Në mbështetje të tij, disa anëtarë të tjerë kërkuan rishikim të mënyrës së funksionimit dhe marrjes së vendimeve në parti.
Por tensioni u ndez kur Ervin Salianji akuzoi sekretarin Flamur Noka për keqorganizim dhe mungesë drejtimi. Ai tha se demokratët janë të zhgënjyer dhe nuk mund të kërkohet besim i ri përballë një strukture që sipas tij është shpërbërë. Salianji e quajti të papranueshme heshtjen për përfshirjen e individëve të lidhur me PS në takimet e PD dhe kërkoi dorëheqjen e Nokës.
Përplasja mes tyre vazhdoi edhe kur u përmendën emra konkretë dhe u akuzua për bashkëpunim të heshtur me njerëz të mazhorancës për të sabotuar aktivitetet e PD. Debati u përkeqësua kur u përmendën dhe eksponentë krimi.
Në mbledhje pati edhe diskutime për organizimin e protestës së 22 dhjetorit, ku disa propozuan që protesta të zhvendosej për të dielën për të garantuar më shumë pjesëmarrje. Ndërkohë, një pjesë e anëtarëve theksuan se pavarësisht numrit të pjesëmarrësve, protesta duhet të zhvillohet për të treguar vendosmërinë e opozitës kundër qeverisë Rama.
Salianji dhe Berisha u përplasën edhe për kontributin e Hysen Kadiut gjatë zgjedhjeve të fundit. Berisha pretendoi se ai nuk kishte kontribuar në fushatë, ndërsa Salianji kundërshtoi ashpër duke thënë se kishte prova dhe foto që faktonin të kundërtën, madje e konsideroi gjuhën e përdorur nga Berisha si të papranueshme, duke i kërkuar të tërhiqej ose ndryshe do të largohej nga mbledhja.
Të tjera zëra si Belind Këlliçi dhe Agron Gjekmarkaj kërkuan fokusim të plotë te protesta dhe shmangie të përçarjes së brendshme, duke theksuar se qytetarët janë të zemëruar me aferat e qeverisë dhe PD nuk duhet të humbasë këtë moment.
Lini një Përgjigje