Bie propaganda për amnistinë penale, drafti “bllokohet” nga BE
Bie propaganda e qeverisë me amnistinë penale. Besfort Lamallari, në atë kohë ministër i Drejtësisë, e trumbetoi me të madhe, por drafti duket se është bllokuar nga Bashkimi Europian.
Drafti i miratuar në qeveri pritej që këtë muaj të kalonte në Parlament, por sipas “Top Channel”, është shtyrë, pasi pritet një përgjigje nga Bashkimi Europian. Nëse nuk jepet miratimi prej tyre, nuk miratohet.
Krahas 447 të burgosurve përfitues të kësaj amnistie ulje dënimi do të ketë edhe për 853 të burgosur të tjerë. Ndërkohë nga Shërbimi i Provës amnistohen 5,077 të dënuar me masa alternative. Projekt ligji amnistisë parashikon po ashtu se duke filluar nga viti 2024 pushohet ndjekja penale për plot 14 mijë procedime për vepra të lehta.
Kjo është goditja e dytë që merr qeveria nga Brukseli, pasi pak kohë më parë është bllokuar “paqja fiskale”.
Pak ditë më parë ministri i Financave Petrit Malaj konfirmoi se aktet nënligjore dhe udhëzimet përkatëse janë përfunduar, por nuk janë zbatuar, pasi janë dërguar për konsultim tek partnerët ndërkombëtarë. “Në lidhje me paqen fiskale dhe faljen e detyrimeve, të gjitha aktet nënligjore dhe udhëzimet përkatëse janë përfunduar nga Ministria e Financave. Duke qenë se kanë qenë dy ligje shumë të diskutueshme, aktet nënligjore ne i kemi përcjellë tek partnerët tanë ndërkombëtarë”, deklaroi Malaj.
Ligji i miratuar nga Kuvendi parashikon fshirjen automatike të të gjitha detyrimeve të akumuluara deri më 31 dhjetor 2014, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve. Në total, skema prek rreth 2 miliardë euro detyrime, nga të cilat rreth 1 miliardë euro pritet të falen plotësisht për borxhe mbi 10 vite. Për detyrimet e periudhës 2015–2024, që arrijnë në 84.4 miliardë lekë, ligji parashikon falje deri në 50% nëse pagesa kryhet brenda qershorit 2026, ose 25% nëse shlyerja bëhet me këste deri në fund të vitit 2026. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen.
Pra duket se me hapjen e kapitujve të integrimit, qeveria nuk bën dot si të dojë. Për çdo draft duhet miratimi nga Brukseli.
Lini një Përgjigje