Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi e cilësoi përplasjen mes Edi Ramës dhe Sali Berishës sot në Kuvend si një grindje servile për të treguar se kush është më i preferuari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ndodhi në fakt një lloj debat do ishte shumë ta quaj, sepse më tepër ishte grindje se kush është i preferuari i Amerikës. Për fat të keq shqiptarët panë atë teatrin e radhës, mes dy palësh që kanë të njëjtin problem dhe të njëjtat interesa se kush t'i serviloset më shumë liderit global pa analizuar në fakt pasojat që ka për vendin e tyre”, tha deputeti në Off the Record.
Sipas tij debati politik duhet të ishte fokusuar te zhvillimet ndërkombëtare dhe pasojat e tyre për Shqipërinë, veçanërisht te tensionet mes SHBA-së dhe Bashkimit Europian, tarifat e larta, çështja e Groenlandës dhe paqartësitë që këto krijojnë për aleancën euroatlantike.
“I gjithë diskursi do duhej të përqëndrohej në tematikat e nxehta të ditës që diskutohen edhe përtej vakëfit të Shqipërisë. Domethënë do të duhet të flitej për faktin që ky konflikt mes SHBA-së dhe BE-së është diçka që ka krijuar një lloj amullie në lidhje me këtë që quhet aleanca euroatlantike apo jo? Në lidhje me çështjen e Groenlandës, me çështjen e tarifave të larta dhe që një vend si Shqipëria i cili aderon për t'u integruar në Bashkimin Europian”, theksoi Muçi.
Muçi shtoi se Shqipëria, e cila synon integrimin në Bashkimin Europian, duhet të analizojë qëndrimet e vendeve kryesore të BE-së, si Franca, Danimarka, Norvegjia dhe Sllovenia, të cilat kanë refuzuar aderimin në Bordin i Paqes.
“Do të duhej minimalisht të dëgjonte argumentet e vendeve ndër më të rëndësishme të Bashkimit Europian si Franca, Norvegjia, Danimarka edhe Sllovenia që të cilat e refuzuan, por të dëgjonte dhe argumentet e shumë prej vendeve të tjera, pra të gjitha vendeve të tjera, të cilat ende nuk kanë mbajtur një qëndrim në lidhje me aderimin në këtë që quhet bordi i paqes, edhe sepse vë në dyshim si të thuash vazhdimësinë e organizatës së kombeve të bashkuara, ligjshmërinë e saj, themeluar që në vitin 1945 dhe këtu duhet të përmbahet diskursi, debati i sotëm në kuvend”.-u shpreh ai.
Lini një Përgjigje