TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Gusht 2025, 14:20

Berisha u dhuron deputetë aleatëve, si tufat e lopëve që regjistrohen për të marrë subvencione nga shteti

Shkruar nga Pamfleti

Berisha u dhuron deputetë aleatëve, si tufat e lopëve që

Ata fermerë që nuk plotësojnë numrin e krerëve 10 lopë, ose 100 dele apo dhi, sipas ligjit për të përfituar financime nga shteti, marrin formalisht bagëti hua nga fermerët që kanë më shumë krerë se sa përcakton ligji për subvencionet…

Më 11 maj, Kryetari i PD, Sali Berisha, me votat e demokratëve, i dhuroi 4 deputetë Partisë së Lirisë dhe nga 1 deputet secilës nga partitë Partia Republikane (PR), Partia për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), Partia për Demokraci, Integrim e Unitet (PDIU) dhe Partia Agrare Ambientaliste (PAA), duke katandisur PD-në në vetëm 42 deputetë.

Por Berisha nuk ndalet këtu. Ai ka nisur një pazar të ri, për të katandisur grupin parlamentar të PD-së me 35 anëtarë, duke dhuruar deputetë demokratë partive të vogla aleate, që këto të krijojnë grupe të veçanta parlamentare. Sipas deklarimeve publike, Berisha do t’i dhurojë edhe 3 deputetë të tjerë Ilir Metës për të krijuar grupin parlamentar të Partisë së Lirisë, ndërsa 3 të tjerë do t’ua japë 4 partive të vogla për të formuar grupe parlamentare.

Ky pazar amoral, i ngjashëm me marifetin e fshatarëve që regjistrojnë tufa bagëtish fiktive për të përfituar subvencione, ka të njëjtën logjikë: përfitime financiare dhe privilegje administrative, pa ndonjë efekt real për prodhimin apo aksionin politik. Në rastin e fshatarëve, ata marrin bagëti hua sa për të plotësuar numrin ligjor dhe përfitimet shtesë nga shteti. Në rastin e Berishës, deputetët dhurohen partive të vogla vetëm për të fituar fonde dhe privilegje shtesë brenda parlamentit.

Krijimi i këtyre grupeve partiçka nuk ka lidhje me forcimin e opozitës, por me përfitime konkrete: kryetarët e grupeve marrin 5% shtesë page, 20% më shumë në fondin e dietave, dyfishim të pagesës për telefon dhe karburant, ndërsa grupet parlamentare përfitojnë zyra, fonde shtesë, sekretare, punonjës administrate dhe përfaqësim në delegacione ndërkombëtare.

Kjo skemë nuk është e re. Në vitin 2021, partiçkat e Fatmir Mediut, Vangjel Dules dhe Shpëtim Idrizit morën deputetë hua nga PD-ja dhe krijuan grupet parlamentare kukulla “Për Demokraci e Integrim” dhe “Aleanca për Ndryshim”.

Ashtu si fshatarët që regjistrojnë tufa bagëtish fiktive për të përfituar subvencione, Sali Berisha dhe aleatët e tij po përdorin deputetë demokratë për të përfituar përfitime të pakufizuara në parlament, duke i shndërruar grupet parlamentare në instrument të pasurimit personal, dhe jo në forcim të aksionit opozitar./Pamfleti

berisha dhuron deputetë tufat e lopëve

Lini një Përgjigje