
Kreu demokrat Sali Berisha ka sfiduar kryeministrin Edi Rama teksa e fton në një debat, ku të jetë ky i fundit që të përcaktojë kushtet.
Gjatë një takimi me qytetarë, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit, Berisha tha se e ftonte Edi Ramën në debat si të dojë dhe ku të dojë.
“Ky vit është viti i diasporës dhe ju e keni parë me çfarë malli, me çfarë dashurie, me çfarë vendosmërie u regjistruan ata dhe do vijnë për të votuar për të ndryshuar Shqipërinë.
Por edhe Shqipëria do ndryshojë ndaj tyre. Çdo familjar i juaji që dëshiron të kthehet në vendin e vet, do ketë 5 vite asnjë taksë. Të vijë, të investojë ato fitime që ka krijuar, të punësojë edhe dikë tjetër, të vazhdojmë. Këtu ka probleme të akumuluara”, tha Berisha.
Ndërkohë që i ka drejtuar një thirrje Ramës që të lerë monologjet dhe të dalë në debat.
“Lëri monologjet çdo mëngjes me zhaba, hardhucë dhe zhapinj dhe urdhëron zotëri të dalim si të kesh dëshirë, me gazetarë, pa gazetarë, me qytetarë, pa qytetarë, urdhëro të dalim të paraqesim programin tonë për qytetarin shqiptar dhe Shqipërinë. Nuk vjen dot sepse tani ç’kuptova unë, ai ka frikë nga vetja e tij. Po, absolutisht.
Kuptova se ai nga mëngjesi gjer në darkë beson gënjeshtrat e tij. Nxjerr një pasaportë, e prodhuar falë asaj reforme që bëmë dhe thotë ja pasaporta evropiane.
Por harron se ADN-ja e integrimit është ADN-ja e PD-së. Kjo është e vërteta”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje