TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Janar 2024, 19:22

Berisha: Protestat në Parlament dhe poshtë banesës sime, jo për mua por për të shpëtuar Shqipërinë

Shkruar nga Pamfleti
Berisha: Protestat në Parlament dhe poshtë banesës sime, jo
Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë fjalimit nga dritarja e tij, ka folur dhe për protestën e deputetëve të grupit të Bardhit ku e ka quajtur atë si ngjarje historike për PD-në.

Sipas tij anëtarët e partisë duhet të vendosin të ngrihen në këmbë si luftëtarë lirie që të përmbysin diktaturën më të egër staliniste në Shqipëri.

Berisha i ka quajtur protestat si momente historike për PD-në

“Ju jeni mbledhur sot këtu në këtë ditë të ftohtë, në këtë ditë shiu. Nuk jeni këtu për Sali Berishën, por jeni këtu për misionin e madh të shpëtimit të Shqipërisë, jeni këtu për të frymëzuar shqiptarët në këtë betejë jetike, vendimtare për fatin e kombit, fatin e fëmijëve tanë, fatin e vendit tonë. Asnjëherë nuk duhet për asnjë moment të heqim dorë nga kauza jonë e drejtë, por duhet ta mbrojmë atë siç po e mbroni ju. Ndaj dhe ftesa ime është së pari për çdo demokrate dhe demokrat, këto janë momente historike për PD-në.

Janë momente në të cilat kjo parti, anëtarët e saj, mbështetësit e saj duhet të vendosin të ngrihen në këmbë si luftëtarë lirie, të ngrihen në këmbë si burra dhe gra që përmbysën diktaturën më të egër staliniste në Shqipëri, për të përmbysur diktaturën e re moniste të krimit. Apo të ngrihen në këmbë për t’i dalë zot trashëgimisë së tyre të shkëlqyer. Të ngrihen në këmbë si viganë për të mposhtur diktaturën e re, si vizionarë, si misionarë”, tha Berisha.

Më tej Berisha shtoi se pas 14 majit, Edi Rama u përpoq të asgjësonte opozitën, ku dhe i mohoi përfaqësuesve të shqiptarëve të gjitha të drejtat kushtetuese në parlament dhe i shndërroi ata në qenie fiktive.

Ai tha se deputetët e opozitës me mosbindjen e tyre mbrojtën dinjitetin e tyre dhe asgjësuan parlamentin e krimit.

“Historia fton të gjithë ata të ngrihen përsëri në këmbë, përndryshe arkivat e saj presin të gjithë ata që do qëndrojnë indiferentë në këtë kohë. Unë e kuptoj se zhvillimet kanë pasur shpejtësi marramendëse, e kuptoj gjithashtu se kjo e keqe nuk erdhi përnjëherësh, erdhi gradualisht. Por të mos harrojmë, demokrate e demokratë, se ne të cilët kishim misionin historik të përballjes, të mposhtjes së saj, nuk qemë në lartësinë e misionit tonë. Ajo para syve tanë, u bë çdo ditë e më e madhe, çdo vit e më e keqe

Së fundmi, pas 14 majit, Edi Rama kaloi në sulm të hapur frontal për asgjësimin e opozitës.

Ju mohoi përfaqësuesve të shqiptarëve të gjitha të drejtat kushtetuese në parlament, i shndërroi ata në qenie fiktive, në fasadë opozitë, për çka përfaqësuesit tuaj nisën një nga betejat më epike, më të jashtëzakonshme në historinë e një parlamenti.

Me mosbindjen e tyre civile, deputetët e opozitës mbrojtën para së gjithash dinjitetin e tyre, dinjitetin e secilit prej jush që votuat për opozitën.

Së dyti, me mosbindjen e tyre, deputetët e opozitës asgjësuan parlamentin e krimit, dëshmuan se cili është parlamenti i Edi Ramës dhe banditëve të tij”, tha Berisha.

sali berisha protesta parlamenti

Lini një Përgjigje