
Në ditën e 8 marsit, ish-kryeministri Sali Berisha, në fjalimin nga banesa e tij, është zotuar se nën qeverisjen e PD-së, beteja kundër diskriminimit të femrës do të ketë një përparësi absolute.
Berisha tha se është meritë e qeverisjes së demokratëve, që diskriminimi është ulur nga viti 2006 deri sot më 17.8%, edhe pse sipas tij me qeverisjen socialiste situata po ndryshon sërish.
“Ky dhjetëvjeçar ishte 10-vjeçari kulmor i dhunës primitive të burrave, por dhe të shtetit ndaj grave, qëndrimit indiferent ndaj kësaj dhune, qëndrimit patriarkal ndaj kësaj dhune.
Sot gruaja shqiptare përballet me dy të këqija të mëdha.
Përballet sërish me murin në rritje të patriarkisë.
Përballet në diktaturën e bazuar në aleancën e pushtetit me drogën, krimin dhe vjedhjen.
Është ajo e cila çdo mëngjes, çdo drekë dhe darkë, vuan e para pasojat e tiranisë së varfërisë, e tiranisë së mjerimit.
Është ajo që vuan më shumë se të tjerët, mjedisin narkotik të krijuar nga politika e kanabizimit të plotë të Shqipërisë nga Edi Rama.
Është ajo që mban brengën e madhe të përcjelljes së fëmijëve në dhera të tjera.
Pra dy janë të këqijat e mëdha me të cilat përballet sot, nëna, motra, gruaja e vajza shqiptare, por përsëri e thatë shumë bukur, e thanë bukur oratoret e shkëlqyera që folën para meje: po të kishte një emër tjetër gruaja do të quhej heroinë se në të vërtetë të tilla janë.
Askush nuk përballet me më fuqi me të keqen se sa nënat, motrat, gratë dhe vajzat tona.
Ndaj dhe unë shfrytëzoj këtë rast duke garantuar se për PD-në nuk do të ketë përparësi më absolute se sa beteja e pamëshirë kundër diskriminimit të burrit me gruan, vëllait me motrën, babait me nënën.
Në këtë kontekst do të bëjmë gjithçka për barazi reale gjinore.
Do të bëjmë gjithçka që fëmijët të rriten, edukohen në kushte e mjedise normale.
Do të bëjmë gjithçka që gratë dhe vajzat tona të mund të shpalosin potencialin e jashtëzakonshëm që ato mbartin në vetvete, për veten, familjen dhe kombin shqiptar e Shqipërinë”, ka thënë Sali Berisha.
Lini një Përgjigje