
Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka marrë pjesë në tubimin qytetar poshtë banesës së ish-kryeministrit Sali Berisha, ku ka mbajtur edhe një fjalim.
Teksa uroi ditën e 8 marsit, Topalli tha se ky është momenti për t’u bërë bashkë për të rrëzuar regjimin.
“Është një moment reflektimi, një shenjë dhe një ditë mirënjohjeje për të gjitha gratë. Vendi jonë, për nga lindshmëria po ecën dyfish me shpejtësinë e plakjes nga çka po ndodh me vendet e tjera të BE. OKB paralajmëron se nëse vazhdohet me këtë ritëm, vendi jonë do jetë vendi me popullsinë më të plakur pas pak dekadave. Imagjinoni që para 15 vitesh ne ishim vendi me popullsinë më të re në Europë”, ka thënë ajo.
Më tej Topalli ka vijuar duke thënë se Sali Berisha po mbahet në arrest shtëpiak pa asnjë provë.
“Një vend ku nuk i lejohet kryetarit të opozitës të shkojë në seanca plenare edhe në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjin që e ndalon një gjë të tillë në qoftë se nuk ka një vendim të prerë të gjykatës. Një vend që vë gjykatëse për gjykimin e ish-kryeministrit nga një gjykatëse të shkarkuar për korrupsion nga vet ish-presidenti Sali Berisha. Çfarë vendi jemi ne nëse nuk reagojmë me forcën më të madhe, me atë forcë që reagojmë ne nënat kur kush guxon të na prekë fëmijën tonë, kur arrestohet kryetari i opozitës”, ka thënë Topalli në tubimin poshtë banesës së Sali Berishës.
Lini një Përgjigje