
Ish-kryeministri Sali Berisha, në fjalimin e tij të përditshëm nga banesa, ka hedhur akuza se edhe shpallja e tij “non grata” ka qenë e orkestruar nga Edi Rama.
Sipas Berishës ai u shpall “non grata” dy vite më parë në mënyrë që Edi Rama të qeveriste i qetë së bashku me Lulzim Bashën.
Megjithatë Berisha ka thënë se kjo ishte një gënjeshtër që qytetarët e ndershëm nuk e besuan.
“Dy vjet më parë në mënyrë që Edi Rama të vendoste paqen e përhershme në sundimin e tij, në mënyrë që Edi Rama të qeveriste i qetë me Lulin e tij, Sali Berishën e shpallën non grata për korrupsion, e shpallën non grata për minimin e demokracisë.
Unë e di se sa e vështirë ishte për ju kthesa, por ju njerëz të ndershëm, idealistë, ju njerëz të të vërtetës, nuk mund të pranonit kurrë të besoni gënjeshtrën për të vërtetë”, ka thënë Berisha.
Ish-kryeministri ka thënë se akuzat ndaj tij për korrupsion u ngritën 8 vite pasi ai ishte larguar nga pushteti.
Këto akuza, sipas Berishës, janë ngritur me një qëllim të vetëm që ishte shkatërrimi i opozitës dhe lënia e saj pa lider.
“Nuk mund ta pranonit ju kurrë një akuzë të tillë, të pavërtetë e cila kishte vetëm një synim, të çelikoste pushtetin e Edi Ramës.
Por s’mund të pranonit ju kurrë një vendim i cili bazohej fund e krye në korrupsionin transnacional Rama-Soros-McGonigal, i cili kishte për qëllim vetëm një, të forconte pushtetin e Edi Ramës.
Pavarësisht se i vriste Shqipërisë shpresën.
Pavarësisht se e shndërronte Shqipërinë në një vend pa opozitë, vështirësitë tuaja individuale, familjare, sociale për të zgjedhur ishin të jashtëzakonshëm.
Demokratet e demokratët ishin njerëzit e vërtetë dhe zgjodhën të vërtetën.
Zgjodhën opozitarizmin sovran”, ka vijuar më tej Berisha.
Ai tha se falë opozitarëve që i qëndruar vlerave të tyre, sot Partia Demokratike nuk u kthye në fasadën e Lulzim Bashës dhe Edi Ramës.
Lini një Përgjigje