
Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi ka folur për përjashtimin e 19 deputetëve të opozitës një ditë më parë nga punimet e Kuvendit.
Vokshi e ka krahasuar këtë vendim me internimet në kohën e Enver Hoxhës.
Sipas saj i vetmi qëllim i këtyre akteve është shkatërrimi dhe asgjësimi i opozitës.
“Është përjashtim kolektiv i cili të kujton internimet dhe pushtimet kolektive të kohës së Enver Hoxhës. Në fakt, mund të themi që po përsëritet në një farë mënyre historia. Kemi protestuar në mënyrë më paqësore dhe më demokratike të mundshme, kemi pasur pankarta në dorë dhe plus kësaj proteste demokratike, në një seancë që u zhvillua në vetëm 9 minuta ku kaluan 9 ligje në 19 minuta”, ka thënë Vokshi.
Ajo risolli në vëmendje faktin se në këtë seancë të shkurtër parlamentare u kaluan pr/ligje shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me buxhetin e 2023-shit dhe pagesa të tjera që do të shkojnë për pronarët dh eish-të përndjekurit.
Por për deputeten Vokshi sjellja e mazhorancës nuk përbën çudi pasi ata janë duke përndjekur opozitën e vendit.
“Janë bijtë e etërve, përdorin të njëjtat metoda. Janë të njëjtët ata që më parë përndiqnin, persekutonin kundërshtarët e tyre politik. Tashmë po përndjekin, po përjashtojnë edhe deputetët e partisë demokratike. Kjo për qëllimin e vetëm që të ketë vetëm një parlament monist ku të gjitha aktet, projektligjet e Edi Ramës vetëm të noterizohen. Ky është qëllimi, eleminimi i një parlamenti pluralist”, ka thënë Vokshi në Syri Tv.
Lini një Përgjigje