
Deputetja e Partisë Socialiste, njëherësh Zv/Presidente e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Blerina Gjylameti, gjatë vizitës së saj në SHBA është pritur në një takim nga Jennifer Ceriale, Drejtore e Politikave Evropiane dhe Çështjeve Globale, në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Ceriale vlerësoi kontributin dhe rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare gjatë tre viteve të fundit, veçanërisht në Këshillin e Sigurimit të OKB dhe tashmë si anëtarë e Këshillit të Drejtave të Njeriut.
Gjatë takimit po ashtu u diskutua mbi kërkesën e Kosovës për anëtarësim në KiE.
“Kënaqësi e veçantë të dëgjoja vlerësimet maksimale nga pala amerikane për kontributin dhe rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare gjatë tre viteve të fundit, veçanërisht në Këshillin e Sigurimit të OKB dhe tashmë si anëtarë e Këshillit të Drejtave të Njeriut.
Gjithashtu, diskutuam mbi agjendën dhe dinamikat aktuale të Këshillit të Evropës, ku u dakordësuam që kërkesa për anëtarësimin e Kosovës në këtë Organizatë duhet të sigurojë një mbështetje sa më të madhe nga vendet anëtare, pasi ky anëtarësim do të sjellë jo vetëm konsolidim të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut ne Kosovë, por do të jetë një vlerë e shtuar për stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë Ballkanit Perëndimor”, njofton Gjylameti.
Gjatë takimit, ajo shprehu domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës sa më parë në Këshillin e Europës.
Gjylameti ka falenderuar zyrtaren e lartë amerikane për vlerësimin e Shqipërisë.
“Falenderova Ceriale për vlerësimin e vendit tonë dhe e sigurova atë se Shqipëria do të vazhdojë të jetë aktive në kontributin e saj në arenën ndërkombëtare”, thekson Gjylameti, Zv. Presidente e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Lini një Përgjigje