TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Prill 2025, 20:26

Berisha nga Kuçova: Fokusi i PD ringritja e ekonomisë, shteti do të shlyejë kredinë e plotë

Shkruar nga Pamfleti

Berisha nga Kuçova: Fokusi i PD ringritja e ekonomisë, shteti do

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në kuadër të fushatës elektorale ka zhvilluar një takim sot me mbështetësit në Kuçovë.

Berisha premtoi grante për sipërmarrësit e rinj, mbulim të interesave për kredi banese dhe subvencione për punësim. Ai theksoi se bashkë me demokratët, është i orientuar drejt ringritjes ekonomike të vendit përmes fuqizimit të brezit të ri.

Kryetari i PD tha se me PD do të 5-fishohen subvencionet për fermerët ndërsa shton se që ditën e parë në qeveri, do të grisë marrëveshjen për Ballkanin e Hapur.

Berisha u shpreh gjithashtu do të dyfishohen rrogat minimale dhe do të rriten pensionet për të garantuar një të ardhme më të mirë për të gjithë.

"Sot jam këtu për të prezantuar programin e Partisë Demokratike dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore programin më të mirë që i është ofruar ndonjëherë qytetarëve shqiptarë.

Fushatën e nisëm sot në mëngjes në Selanik, ku mijëra vëllezër dhe motra nga diaspora erdhën për të dëgjuar programin tonë. Ata janë më të vendosur se kurrë për të votuar më 11 maj për shpëtimin e Shqipërisë, për ndryshimin e madh, për t’u ndarë nga një e keqe që po shkreton çdo javë, çdo muaj më shumë Kuçovën, Beratin dhe mbarë vendin.

Jam sot këtu dhe i drejtohem Ledianit, bashkëmoshatarëve të tij dhe gjithë të rinjve që ndodhen në këtë shesh apo kudo tjetër: 11 maji shënon një fillim të ri për çdo të ri, për çdo vajzë e djalë që dëshiron të ndërtojë ëndrrën e tij në Shqipëri, të ardhmen e tij në këtë vend.

Ne garantojmë se shkollimi i fëmijëve tanë do të zhvillohet në kushte moderne, në shkolla të pajisura me teknologji të reja dhe me cilësi të lartë. Do të dyfishojmë buxhetin për arsimin dhe do të heqim mesataren si një pengesë absurde që i ndalon të rinjtë të hyjnë në universitete. Përkundrazi, dyert e universiteteve do të jenë të hapura për të gjithë, dhe pas diplomimit, çdo sipërmarrës që punëson të rinjtë do të mbështetet nga qeveria me një vit sigurime shoqërore të paguara për çdo të ri të punësuar.

Qeveria do të ofrojë grante për çdo biznes dhe startup të të rinjve tanë. Do të vendosim grante për çdo kredi për banesë, në mënyrë që çdo çift i ri të ketë mundësi të ndërtojë jetën në vendin e tij. Do të mbulojmë deri në 30 mijë euro interesat e kredive dhe për familjet që sjellin në jetë fëmijën e tretë, shteti do të marrë përsipër shlyerjen e plotë të kredisë", tha Berisha.

Lini një Përgjigje