Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje që qytetarët të bashkohen masivisht në protestën e 10 shkurtit. Ai e ka cilësuar si momentin për t’i dhënë “goditjen e merituar” regjimit aktual.
Berisha u shpreh se opozita ndodhet në fazën përfundimtare të betejës politike dhe se asgjë nuk do ta ndalë marshin e saj, ndërsa e vetmja rrugë, sipas tij, mbetet revolta.
“Ndaj dhe me datën 10, qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë janë të ftuar për t’i thënë leksionin e merituar këtij regjimi dhe kreut të tij, Edi Rama”, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD theksoi se opozita ndodhet “në kilometrin e fundit” dhe se kjo periudhë kërkon angazhim maksimal në të gjitha drejtimet.
“Jemi në kilometrin e fundit! Me datën 10, qytetarët do t’i japin leksionin e merituar këtij regjimi. E thashë këtë sepse kjo kohë është kohë e vështirë”, deklaroi Berisha.
Ai u shpreh gjithashtu se angazhimi i opozitës nuk do të kufizohet vetëm te protesta, por do të shtrihet në forcimin e strukturave dhe zgjerimin e mbështetjes qytetare.
“Do të merremi me protestën, do bëjmë gjithçka për suksesin e saj. Do të merremi me seksionin, do bëjmë gjithçka për ta ngritur në këmbë dhe për ta bërë sa më të fortë”, tha Berisha.
Berisha theksoi gjithashtu rëndësinë e anëtarësimeve të reja dhe përfshirjes së të rinjve.
“Do të merremi me anëtarësime të reja, do bëjmë gjithçka që të tërheqim të rinj, të reja, qytetarë, idealistë, njerëz me vlera”, u shpreh ai.
Në vijim, kreu i PD-së bëri thirrje për revoltë të përgjithshme kundër qeverisë.
“Do bëjmë gjithçka për të nxitur frymën e revoltës në çdo zemër, në çdo shpirt. Në çdo vatër, tek çdo shqiptar. Revoltë dhe vetëm revoltë”, tha Berisha.
Në përfundim, Berisha përsëriti thirrjen për protestën e 10 shkurtit, duke ftuar qytetarët nga e gjithë Shqipëria të marrin pjesë.
“Me datën 10, qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë janë të ftuar për t’i thënë leksionin e merituar këtij regjimi dhe kreut të tij, Edi Rama”, përfundoi Berisha.
Lini një Përgjigje