TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Shkurt 2026, 19:06

"Rritje çmimesh pa transparencë", Alimehmeti: Evis Sala përgjegjëse për kaosin e ilaçeve

Shkruar nga Pamfleti

"Rritje çmimesh pa transparencë", Alimehmeti: Evis Sala

Deputeti i Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka denoncuar situatën e rëndë në tregun farmaceutik, duke deklaruar se ndërhyrja e qeverisë në çmimet e barnave ka sjellë kaos dhe po dëmton drejtpërdrejt pacientët.

“Ka një problem më të madh akoma për të sëmurët. Kush ka të sëmurë në shtëpi, tregu farmaceutik hyri në kaos. Qeveria pa paralajmërim ndërhyri te çmimet e barnave dhe farmacistët nuk përmbushin barnat e rimbursueshme për pacientët. Iu vu në kurriz farmacistëve. Çdo gjë që ndodh në shëndetësi është në kurriz të njerëzve, jetës dhe shëndetit”, u shpreh Alimehmeti.

Gjatë fjalës së tij në Foltoren e radhës së Berishës me demokratët e degëve 1 dhe 3 në Tiranë, Alimehmeti tha se janë rritur çmimet e dhjetëra barnave pa asnjë shpjegim zyrtar, ndërsa disa prej tyre janë trefishuar.

“U rritën çmimet e 10-tra barnave pa shpjegim. Disa u trefishuan. Pa transparencë. MSH është aty për të tutëluar njerëzit”, tha ai, duke theksuar se bëhet fjalë për antibiotikë, ilaçe tumorale dhe barna të domosdoshme për shumë sëmundje.

Alimehmeti deklaroi se kjo situatë rëndon si mbi fondin publik, ashtu edhe mbi pacientët që nuk përfitojnë nga rimbursimi, ndërsa sipas tij, përfitues janë disa kompani farmaceutike.

“Depot shesin me çmim më të lartë, ndërkohë që u kërkohet t’i shesin pacientëve më ulët. Kemi marrë shumë raportime për pacientë që bëjnë ecejake”, u shpreh ai.

Deputeti i PD-së akuzoi Ministrinë e Shëndetësisë për mungesë plani dhe orientim larg interesit të pacientëve.

“MSH punon pa plan, nuk punon në drejtim të pacientit, por disa xhepave përkatës. Dhe çon shtresën e pacientëve kundër shtresës së farmacistëve”, tha Alimehmeti, duke kërkuar një zgjidhje të menjëhershme.

Në fund të deklaratës, Alimehmeti bëri thirrje për reagim qytetar dhe protestë.

“Në 10 shkurt na jepet mundësia t’i japim një përgjigje qeverisë. Kjo qeveri rrëzohet vetëm me protestë, revoltë. Të thërrasim këdo. Sheshi tregon kush është opozita. Si Edi Rama mundet”, përfundoi ai.

Lini një Përgjigje