Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha pas daljes nga SPAK foli edhe për protestën e zhvilluar para godinës së Gjykatës së Posaçme ditën e shqyrtimit të masave të sigurisë për Kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, dhe personave të tjerë të hetuar.
Ai tha se protesta e ditës së mërkurë ishte si sulmi ndaj Gjykatës Supreme në Kolumbi në vitet 1985, pavarësisht se militantët e PD rrethojnë godinën sa herë që ai shkon në SPAK.
“Dënoj me forcën më të madhe këtë akt puçist të Edi Ramës, narkoqeverisë dhe narkobashkisë, të cilët morën peng për orë të tëra gjykatës dhe prokurorë të çështjes Veliaj. Rikthyen në Tiranë, skenat e viteve 1980, kur Pablo Escobar sulmoi Gjykatën dhe aty pati viktima të tëra. Pas 40 e ca vitesh, Ediscobar, kreu të njëjtin akt ndaj Gjykatës dhe Prokurorisë. Në historinë e botës ka vetëm dy raste, rasti Escobar dhe rasti Ediscobar. Në historinë e botës ka qindra raste të protestave para gjykatave, por protestë shtetërore përbën një grusht shteti brenda shteti. E garantoj Ramën se ky krim antikushtetues do të regjistrohet dhe do të ndëshkohen në mënyrë shembyllore, që mos t’i shkojë mendja askujt në pushtet të sulmojë pushtetin tjetër”, tha Berisha para mbështetësve të tij të mbledhur para SPAK.
Ju rikujtojmë se në Bogota të Kolumbisë në vitin 1985, Pallati i Drejtësisë u sulmua në vitin 1985 nga njerëz të armatosur, pjesëtarë të grupimit gueril majtist, M-19.
Në përfundim të luftimeve me ushtrinë, gati gjysma e anëtarëve të Gjykatës Supreme të Kolumbisë mbetën të vrarë dhe mijëra dosje u dogjën. Pas sulmit, autoritetet kolumbiane , por edhe ato amerikane, akuzuan kartelet e drogës se kishin financuar operacionin, në mënyrë që të zhduknin dosjet e tyre, për të shmangur ekstradimin në SHBA.
Lini një Përgjigje