Socialistët nuk kanë ndërmend të ndalen. Dy ditë më parë, Sali Berisha, kreu i PD-së, nga mbledhja e Kryesisë së kësaj partie, udhëzoi të vetët që të ndalin çdo bisedim, negociatë për emra apo çështje të veçanta me socialistët, si një kundërpërgjigje ndaj zgjedhjes së Avokatit të Popullit, të cilën partia më e madhe e opozitës e kontestoi.
Pavarësisht se demokratët mbështetën me 35 firma kandidaturën e Endri Shabanit, i cili u votua me 85 vota të socialistëve të Edi Ramës si Avokat i Popullit, Berisha foli për skenarë dhe makinacione që u aplikuan.
Në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar socialist një nga çështjet e diskutuara ishte pikërisht ky qëndrim i ri i opozitës, që duket se ka kushtëzuar raportet me mazhorancën parlamentare.
Në mbledhjen e Grupit socialist vendimi ishte i prerë: do të ecim përpara, nuk kemi kohë për të humbur. Në mbledhje ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, që sipas raportimeve, ka udhëzuar të tijët që të mos ndalen dhe kushtëzojnë, ato që i konsideron reforma, nga prania ose jo e opozitës. Madje Rama ka udhëzuar deputetët e PS-së që të jenë aktivë në zonat ku janë zgjedhur dhe të mbajnë kontakte me elektoratin, duke i sqaruar për çdo qëndrim politik në raport me agjendën integruese.
Kjo u pohua pas mbledhjes edhe nga Taulant Balla, i cili në një prononcim për mediat, tha se minoranca nuk mund të marrë peng agjendën parlamentare.
“Nëse ata mendojnë se mund të marrin peng punën e Komisioneve, gabojnë. Vërtet janë komisione bi-partizane, por kjo s’do të thotë që ne të presim. Siç ata vendosin kushte, edhe ne mund të ndryshojmë qëndrimet tona. Do presim deri në fund të këtij viti, të hamë edhe gjelin e Vitit të Ri, sepse besoj se kemi të bëjmë me një vendim emocional”, tha Balla, referuar bojkotit që PD, si partia më e madhe opozitare, i ka bërë dy komisioneve bi-partizane.
Tashmë nuk dihet se çfarë qëndrimi do të mbajnë demokratët në raport me Parlamentin, por duket se gjithçka do të ketë lidhje me protestën e 22 dhjetorit. Nëse do të ketë një pjesëmarrje të madhe të mbështetësve të opozitës, duket se edhe strategjia që opozita do të ndjekë në raport me Kuvendin do të jenë e re.
Lini një Përgjigje