
Ish-kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij të sotme nga dritarja e banesës, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka urdhëruar mediat që të censurojnë tubimet e qytetarëve poshtë banesës së tij.
Ai tha se kjo vërteton më së miri vërtetësinë e fjalëve që thuhen nga qytetarët në këto tubime.
“Treguesi më i fuqishëm i vërtetësisë të fjalëve që ju thoni këtu në Rrugën e Shpresës, në parlamentin e lirisë.
Por dua t’u garantoj se sa më shumë përpiqet Edi Rama t’i mbështjellë më vellon e zezë të censurës fjalët tuaja, aq më shumë ato oshëtijnë në veshët, zemrat dhe mendjet e shqiptarëve.
Aq më shumë ato dëgjohen, kalojnë nga njëri te tjetri si të vërteta që fshihen nga ky regjim dhe që njerëzit duhet t’i dinë.
Miqtë e mi, unë përsëri sonte ftoj çdo qytetar shqiptar të mendojë se kjo betejë është për secilin prej tyre”, tha Berisha.
Berisha, në fjalën e tij ka folur edhe për shëndetësinë duke deklaruar se në kohën që ai qeveriste, pagat e mjekëve dhe të infermierëve u rritën me 150 përqind. Berisha tha se në atë kohë personat që kishin një profesion, nuk largoheshin në mënyrë kaq masive, sa tani.
Ai tha se mbase pagat e tyre asokohe nuk kanë qenë më të lartat, por ato rriteshin çdo vit.
“Unë nuk pretendoj dhe nuk them se në vitin 2013 ishte shërbimi shëndetësor që meritonin qytetarët.
Por e them me shifra dhe fakte të vërteta se ishte i pakrahasueshëm me shërbimin e sotëm.
Ishte i pakrahasueshëm se ato taksa tuaja, ato të ardhura tuaja që u përdorën për shëndetësinë, shkuan së pari për të rritur me 150 përqind rrogën e infermierëve. Në vitin 2005, infermierja merrte 150 mijë lekë.
Për të rritur me 150 përqind rrogën e mjekëve, të cilët paguheshin me rroga qesharake.
Kjo i motivoi infermieret tona, kjo i motivoi mjekët tanë. Ata nuk largoheshin siç ikin sot.
Jo se ato ishin rroga të larta, por se ato ishin rroga që rriteshin çdo vit.
Dhe se kjo atyre u jepte besim që gjendja e tyre ekonomike, puna e tyre do vlerësohej gjithnjë e më shumë”, ka thënë Berisha.
Lini një Përgjigje