
Ish-kryeministri Sali Berisha, në fjalimin e tij të përditshëm, nga dritarja e banesës, ka akuzuar Edi Ramën se ka vendosur një censurë të plotë ndaj fjalës së atyre që flasin në tubimet e përditshme.
Sipas Berishës, asnjë nga mediat nuk guxon të transmetojë fjalën e të ftuarve që flasin çdo ditë poshtë banesës së tij.
Ai tha se në vend të fjalës së lirë, qytetarët janë të detyruar të dëgjojnë çdo ditë mashtrimet e Edi Ramës.
“Jemi në një pushtim të egër për të cilin qytetarët janë vetëm për t’u vjedhur, për t’u mashtruar, për t’u përzënë nga Shqipëria.
Të dashur qytetare dhe qytetarë, çdo ditë që kalon është mbijetesë e këtij regjimi.
Çdo ditë që kalon është rrënim për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Edi Rama me gjithë propagandën e tij mbjell mashtrim 24 orë mbi 24 orë.
Ai ka vendosur një censurë të plotë totale për parlamentin e lirisë.
Mediat, të terrorizuara, nuk guxojnë të japin fjalët tuaja.
Nuk guxojnë t’u thonë qytetarëve të vërtetat.
Përkundrazi, transmetojnë me një jehonë të shpifur njëra pas tjetrës, mashtrimet, trillimet e deklaratave të Edi Ramës, anëtarëve të organizatës së tij kriminale që quhet qeveri, anëtarëve të organizatës kriminale që ka pushtuar drejtësinë e vendit.
Çfarëdo që ndodh, justifikohet me një frazë, me një mashtrim, ndërkohë që vazhdohet të vjedhin në mënyrë të tmerrshme këta qytetarë”, ka thënë Berisha.
Lini një Përgjigje