
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka vetëm një ligj që ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim dhe është ai “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, duke e cilësuar atë që një ligj që cënon të drejtën kushtetuese të Presidentit.
Partia Socialiste thotë se do ta marrë në shqyrtim këtë dekret dhe disa shqetësime do t’i shikojë me kujdes.
“Presidenti i republikës ka ngritur disa shqetësime që lidhem me atë ligj. Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin t’i shqyrtojë ato pika. Kemi të bëjmë me një President normal dhe më në fund kemi të bëjmë me një situatë normale të komunikimit mes dy institucioneve. Seanca do të vendosë nëse do të merren në konsideratë të gjitha shqetësimet e Presidenti. Unë mendoj se disa prej tyre duhen marrë dhe të bëjmë ndryshimet në ligj që reflektojnë shqetësimet e Presidenti”, tha Balla.
Në dekretin e publikuar në faqen e Presidencës, Begaj ka renditur si arsye juridike mungesën e konsultimit të projektligjit me Presidencën, si palë e interesuar drejtpërdrejt në proces, ku kompentenca e dhënies së dekoratave është atribut i Presidentit.
“Është e qartë se në këtë rast kemi të bëjmë me një kompetencë kushtetuese të Presidentit të Republikës.. me ligj rregullohet mënyra e dhënies së dekoratave dhe titujve të nderit, pasi është e qartë se cili është organi që i jep ato,” thuhet në dekretin e firmosur nga Begaj.
Sipas kreut të shtetit, ligji mund të përcaktojë dhe detajojë çështje proceduriale apo teknike të procesit të dekorimit, por jo të deformojë apo ngushtojë thelbësisht këtë kompetencë kushtetuese.
Lini një Përgjigje