Francezët nuk janë budallenj. As holandezët, gjermanët, italianët apo kushdo tjetër që po mendon të votojë për një parti euroskeptike. Ata mund të shohin se sa i pavërtetë është pretendimi se Brexit ka qenë një katastrofë për Britaninë, dhe ato po mendojnë se si vendet e tyre mund të përparojnë më shumë jashtë BE-së...
Të ngratët francezë! Sipas ish-negociatorit të Bashkimit Evropian për Brexit, Michel Barnier, ata nuk i kanë “nxënë mësimet e Brexit”. Nëse, siç duket e mundshme të ndodhë, partia Tubimi Kombëtar e Marine Le Pen do të jetë fituesja e madhe në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershor, votuesit francezë do të kenë treguar se nuk e kuptojnë ende se sa serioz ishte Brexit.
Në të kundërt, do të tregojnë se e kanë kuptuar shumë mirë, dhe se e dinë që përpjekjet e Komisionit Evropian për të ndëshkuar Britaninë për largimin kanë dështuar plotësisht. Blloku
u përpoq të arrinte marrëveshjen më të keqe të mundshme për Britaninë në përpjekje për të kërcënuar shtetet e tjera të mundshme anëtare rebele.
E megjithatë që nga ajo kohë Britania është shumë më mirë, ndërsa Bashkimi Evropian
ka përfunduar me nivele në rritje të euroskepticizmit në Francë, dhe në fakt edhe në shtete të tjera. Votuesit në Holandë po mbështetin në masë Geert Wilders, që dëshiron të mbajë një referendum edhe për nxjerrjen e vendit të tij nga unioni.
AfD-ja euroskeptike po fiton në Gjermani, ndërsa Giorgia Meloni, politikat euroskeptike të së cilës deri më tani nuk e kanë nxjerre ende Italinë nga Bashkimit Evropian, është tashmë kryeministre e Italisë.
Pse Barnier mendon se do t’u bëjë përshtypje euroskeptikëve të vendit të tij, duke pretenduar se Britania ka vuajtur nga pasja e më shumë pengesa tregtare që nga Brexit? Përveç çdo gjëje tjetër, nëse jeni një nga fermerët francezë që kohët e fundit bllokuan rrugët me traktorë duke u ankuar se janë dëmtuar nga importet më të lira, do të dëshironi jo më pak por më shumë barriera tregtare.
Dhe ndër produktet që ata vendosën në krye të listës së kufizimit ishte vera që importohet nga Spanja. Nga ana tjetër, nëse jeni një nga ajo raca e rrallë, një tregtar i lirë francez, nuk do t'ju bëjnë fare përshtypje komentet e Mishel Barnier.
Sepse fakti është që ai po konfirmon atë që të gjithë e dinim tashmë: që Bashkimit Evropian është në thelbin e tij një organizatë proteksioniste, që dëshiron të ngrejë një gardh me tela me gjemba rreth kufijve të tij të jashtëm. Po pse Britania do të vuante nga “probleme tregtare” me BE-në, kur supozohet të ketë një marrëveshje të tregtisë së lirë?
Përgjigja është e thjeshtë: BE-ja është mjeshtre në krijimin e barrierave të fshehta jo-tarifore, të krijuara enkas për të dekurajuar importuesit, duke ua bërë jetën atyre një makth burokratik. Si
një anëtar i tregut të përbashkët, ju mund të jeni në gjendje t’i shpëtoni burokracisë së transferimit të produkteve tuaja nga një shtet anëtar në tjetrin.
Por kjo është vetëm sa i përket lehtësimit nga burokracitë. Mjafton të shihni se çfarë shkaktoi protestat e fundit të fermerëve evropianë: disa rregulla të vogla që kërkojnë regjistrim të vazhdueshëm të çdo grami të fundit plehu kimik që shpërndahet në çdo arë, rregulla që kërkojnë matjet e sakta të çdo kafazi pulash.
Ky është lloji i gjërave kundër të cilave po rebelohen një numër në rritje qytetarësh të Bashkimit Evropian. Ky dhe dështimi i plotë i Bashkimit Evropian për të adresuar krizën e emigracionit të paligjshëm, korrupsionin flagrant brenda tij si dhe tendencën në rritje për të futur hundët në çdo aspekt të qeverisjes së shteteve anëtare, si për shembull përpjekjen për të pezulluar ndihmat sepse ish-qeveria polake nuk donte që të mbështeste martesat midis homoseksualëve apo lejimin e tyre sipas kërkesës së Brukselit.
Nga ana tjetër nuk është e vërtetë që Mbretëria e Bashkuar ka vuajtur shumë ekonomikisht që nga Brexit. Në fakt, rritja ekonomike në Britani që pas Brexit, ka qenë në të njëjtin nivel me Francën dhe më e lartë se sa e Gjermanisë.
Dhe nëse do të kishim një qeveri që do të ishte e përgatitur të shfrytëzonte mundësitë e ofruara nga Brexit për të anuluar shumë burokraci dhe rregullore të panevojshme në ekonomi, në vend se të pasqyronte atë që po bën BE-ja, ekonomia jonë do të ecte shumë më mirë se kaq.
Francezët nuk janë budallenj.
As holandezët, gjermanët, italianët apo kushdo tjetër që po mendon të votojë për një parti euroskeptike. Ata mund të shohin se sa i pavërtetë është pretendimi se Brexit ka qenë një katastrofë për Britaninë, dhe ato po mendojnë se si vendet e tyre mund të përparojnë më shumë jashtë BE-së./ Përshtati Pamfleti nga “Daily Telegraph”
Lini një Përgjigje