
Lulzim Basha tha se Koalicioni Euroatlantik që ai drejton ka një mbështetje të madhe qytetare si brenda vendit, ashtu edhe në diasporë.
Ai u shpreh optimist edhe për rezultatin që do marrin më 11 maj, duke theksuar se pretendojnë deputetë në të gjitha qarqet dhe në veçanti në të mëdhatë, ku edhe sistemi elektoral e mundëson. Sipas tij, përqendrimi mbetet Tirana, e cila ka edhe numrin më të madh të votuesve dhe mandateve.
“Në Tiranë duke qenë se ka numrin më të madh të mandateve dhe votuesve. Por fushata është e shtrirë anembanë vendit, ku është mirëpritur edhe KEA. Sondazhet nuk kanë lidhje me realitetin, ato që shpallin sondazhet për KEA ne i marrim vetëm në Kamëz. Një tjetër zonë me mbështetje për ne është edhe Shkodra. Qytetarët kanë një çelës së rëndësishëm më 11 maj, të votojnë dhe të hapin derën e 313-ës, por edhe të derës së të ardhmes së tyre. Dilni dhe votoni më 11 maj. Thirrja 7 herë 7 bëjnë 313 është bërë refren i kësaj fushate. Ne jemi të hapur për bashkëpunim, për t’i dhënë qeverisjen dhe qeverinë që meriton, se Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë, dhe programi ynë e realizon këtë”, tha Basha për ‘Report Tv’.
I pyetur për fushatën në Diasporë dhe pritshmërinë, ai nënvizoi se pret një numër të mirë votash edhe nga emigrantët.
“Presim një numër jo të vogël votash edhe nga diaspora, kemi mbështetje të jashtëzakonshme. Ka shumë mbështetës në diasporë ndaj programit dhe koalicionit tonë. Të vetmi që mbështesin pa kushte SPAK jemi ne, Koalicioni Euroatlantik, bashkë me shumicën e shqiptarëve. Korrupsioni është pengesa kryesore e vendit për zhvillim dhe integrim, pasi është faqja e zezë e Shqipërisë”, shtoi ai.
Lini një Përgjigje