
Kryetari i Grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka marrë fjalën sot në Kuvend, pasi PD ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama, sepse ky i fundit ka emëruar si këshilltar të jashtëm një agjent të shërbimit sekret rumun të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, Coldea-n.
Por pasi ka ngritur pyetjen për çfarë e ka këshilluar ky agjent Ramën, Bardhi është përplaset ashpër me deputetët e PS-së të cilët i thërrisnin “Boll” nga salla.
Bardhi i është drejtuar Pandeli Majkos dhe Erion Braçes me pyetjen "më thoni, pra, për çfarë e ka këshilluar ky person Edi Ramën? Për trafikun e drogës"?
Kryeministri sërish nuk ishte i pranishëm në seancë dhe Bardhi e nënvizoi faktin se kryeministri është i detyruar t’u përgjigjet kërkesave për interpelancë.
“Shqiptarët kanë për kryeministër një frikacak, që ka frikë të vijë në Kuvend, të përballet me opozitën, ka frikë të japë llogari për lidhjet e tij me krimin e organizuar, për aferat ku vetëpërfshihet.
Ne kemi kërkuar interpelancë sepse ekzistojnë dokumente zyrtare dhe raportime të medias ndërkombëtare që kryeministri i Shqipërisë ka emëruar këshilltar një agjent të shërbimeve sekrete rumune dhe që këtu ka një shkelje sepse cenohet siguria publike dhe së dyti, sepse ky person, përveçse i përfshirë në veprimtari korruptive në shtetin e tij, është i lidhur me një linjë të trafikut ndërkombëtar të drogës që lidh Meksikën me Shqipërinë dhe Shqipërinë me Rumaninë", tha Bardhi.
Lini një Përgjigje