Ditën e sotme kryeministri Edi Rama, feston 60-vjetorin dhe si 'dhuratë' nga SPAK ishte arrestimi i ish ministrit të kabinetit të tij, Ilir Beqaj për abuzim me fondet e BE.
Ju rikujtojmë se Edi Rama mori në mbrojtje mikun e tij, Ilir Beqaj në konferencën e fundvitit të kaluar, duke thënë se ai nuk ka abuzuar me fondet e BE-së.
I pyetur se çfarë mund të thotë tani për një hajdut dymetrosh, Rama tha se këtë e përcakton vendimi i gjykatës.
“Se kush është hajdut, nuk e përcakton as ti as unë, e përcakton vendimi i formës së prerë të gjykatës.
Nuk dua të hyj fare në komente të rastit, por për aq sa unë jam i informuar, deri tani akuza është shpërdorim detyre, jo korrupsion.
Zhurma e bërë për ‘zhvatje’ fondesh të BE-së është një gënjeshtër sepse zyra nuk menaxhon fonde të BE-së. Nuk i kalojnë fonde as nga BE-ja dhe as nga ndonjë institucion tjetër apo palë tjetër në bazë të marrëveshjeve bilaterale.
Fakti që dikush është nën hetim nuk do të thotë asgjë. Por nuk do të thotë se cilido të turret me vrap dhe një njeri nën hetim ta bëjë kriminel,” tha Rama.
Po çfarë thotë SPAK për Baqajn?
Ish-ministri i Shëndetësisë dyshohet se ka kryer fatura fiktive, falsifikime dokumentesh me qëllim përvetësimin e fondeve të SASPAC.
Lidhur me këtë dosje pak muaj më parë u zhvilluan disa kontrolle në disa biznese, por dhe përgjime të personave të afërt të ish-ministrit.
Beqaj doli në komunikime me vartës të tij ku kryente biseda që lidheshin me “kopsitjen” e letrave dhe praktikave për përvetësimin e fondeve.
Sipas SPAK, ish ministri ka komunikuar me shtetasin Ermal Kurtulaj, me detyrë Koordinator i projektit EUSAIR. Beqaj përdorte telefonin e shoferit të tij pranë agjencisë SASPAC, Arben Dani.
Dyshohet se Kurtulaj menaxhonte një restoRant i cili dyshohet si pronë e fshehur e Beqajt dhe ku priteshin fatura fiktive.
Krahash Ilir Beqajt, bëhet me dije se me urdhër të SPAK janë arrestuar dhe shtetasit Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla.
Kujtojmë se Beqaj ndodhet në gjykim dhe për dosjen e koncesionarit të sterilizimit gjatë kohës që ai ishte ministër Shëndetësie.
Ai akuzohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, në dhënien e koncesionit të vitit 2015, dyshime këto për të cilat më herët prokuroria ka caktuar masën e detyrimit për t’u paraqitur.
Nga hetimet ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncensionit me vlerë 100 milionë euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.
Në këto kushte SPAK ka vënë në akuzë dhe Ilir Rrapaj në cilësinë e aksionerit të kompanisë dhe ish-zëvendësministri Klodian Rrjepaj, të cilët aktualisht ndodhen në burg.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ata kanë konsumuar veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, “Mashtrimit” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.
Lini një Përgjigje