Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është arrestuar ditën e sotme në orën 7:00 të mëngjesit.
Në pranga me ish ministrin ka rënë dhe Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla.
Prangosja e Beqajt është bërë nga policia e Tiranës.
Ilir Beqaj ka abuzuar me fondet e BE-së gjatë kohës që drejtonte agjencinë SASPAC (Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës ).
Përmes njerëzve të besuar ku njëri prej tyre është Ermal Kurtulaj, drejtues i projektit Eusair, pranë Agjencisë, ata dyshohet se kanë përfituar shuma të mëdha parash, përmes faturave fiktive për shërbime të pakryera të lëshuara nga biznese të ndryshme në Tiranë.
Lidhur me këtë dosje pak muaj më parë u zhvilluan disa kontrolle në disa biznese.
Ish ministri po hetohet nën masën e sigurisë 'detyrim me paraqitje" për ‘shpërdorim detyre’ lidhur me kontratën koncensionare të sterilizimit në kundërshtim me ligjin.
Hetimi për fondet e SASPAC dhe kontrolli i banesave
Beqaj u praqit më 29 dhjetor 2023) para oficerit të Policisë Gjyqësore në SPAK, për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” caktuar në kuadër të hetimeve për koncesionin e sterilizimit, Beqaj zbuloi edhe një hetim tjetër.
SPAK ka dyshime për 'korrupsion' dhe 'shpërdorim detyre' të Beqajt, por nuk ka të regjistruar një procedim, ndërkohë që ndaj tij është ushtruar kontroll në banesën e ish ministrit ku dhe janë sekuestruar telefoni, kompjuteri dhe dokumente të tjera. Për këtë hetim, SPAK ka siguruar edhe përgjime ambientale dhe telefonike.
Kontrolle janë ushtruar edhe në banesat e Arben Danit (shofer i Beqajt), dhe Ermal Kurtulajt, me detyrë Koordinator i projektit EUSAIR që menaxhohej nga Agjencia SASPAC, Sabian Kurtulajt dhe Gazment Prengës.
Gjithashtu janë kontrolluar firma "Delta Med" dhe restoran "Gzona" në pronësi të njërit prej anëtarëve të SASPAC.
Ermal Yezeiraj avokati i ish-ministrit pranoi se Beqajt i janë sekuestruar telefonat kompjuterë dhe dokumente. Ndërsa sa i takon lidhjes së Beqajt me pronarët e Delta Pharma dhe rrjetin e farmacie ‘Ditë e Natë’, avokati nuk pranoi të komentonte duke thënë se një çështje e tillë i takon organit të akuzës.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj e mori postin e kreut të Agjencisë në nëntor të vitit 2022 dhe e mbajti atë deri në nëntor të këtij viti kur u dorëhoq pasi SPAK nisi hetimet ndaj tij për shkeljet me koncesionin e Sterilizimit.
Krijimi i kësaj agjencie u firmos në 29 tetor të vitit 2022 me vendim të Këshillit të Ministrave.
Roli i SASPAC?
Kjo agjenci ka si mision koordinimin e ndihmës së huaj për programet dhe projektet zhvillimore, asistimin e strukturave vendimmarrëse për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI) dhe monitorimin e zbatimin e saj, ofrimin e mbështetjes metodologjike në hartimin e strategjive ndërsektoriale dhe sektoriale, me qëllim harmonizimin e tyre me SKZHI-në, si dhe monitorimin e zbatimit të tyre, koordinimin e procesit të administrimit të projekteve me interes kombëtar, ofrimin e mbështetjes për institucionet e administratës shtetërore për rritjen e kapaciteteve në fushën programeve dhe projekteve zhvillimore.
Ndër përgjegjësitë e agjencisë së re është edhe mbështetja e ministrisë përgjegjëse për Evropën në përmbushjen e përgjegjësive të saj për procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe misionet diplomatike në koordinimin e punës së tyre me donatorët e huaj. Formati dhe procedura e mbështetjes dhe koordinimit përcaktohen me urdhër të Kryeministrit.
SASPAC, po ashtu, mbështet Kryenegociatorin dhe Grupin Negociator në programimin dhe monitorimin e asistencës financiare të BE-së në funksion të procesit të aderimit në BE dhe të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Formati dhe procedura e mbështetjes dhe koordinimit përcaktohen me urdhër të Kryeministrit.
Lini një Përgjigje