TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Shtator 2023, 09:37

Athina llogari SPAK për Fredi Belerin; si dështuan 5 herë tentativat për të liruar të zgjedhurin e dyshes Berisha-Meta

Shkruar nga Pamfleti
Athina llogari SPAK për Fredi Belerin; si dështuan 5 herë
Fredi Beleri, ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamits dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis

Ditën e sotme ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Konstantina Kamits ka shkuar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për të kërkuar informacione mbi çështjen e Fredi Belerit që ndodhet në paraburgim për “korrupsionit në zgjedhje”.

Pas tij në SPAK është paraqitur edhe kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule.

Kandidati i Sali Berishës dhe  Ilir Metës për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit për blerje votash. Në burg me Belerin është edhe Pandeli Kokaveshi i akuzuar si bashkëpunëtor i Belerit në blerjen e votave të qytetarëve në Himarë.

Pavarësisht se ka kërkuar disa herë masë të më lehtë sigurie, GJKKO nuk e ka pranuar.

Athina zyrtare po lobon fuqishëm për të nxjerrë nga burgu Fredi Belerin, duke çuar edhe një amendament në Parlamentin Europian për lirimin e tij.

Kjo nuk është hera e parë që ambasadorja greke bën lëvizje të tilla, pasi më herët e ka vizituar Belerin si në paraburgimin e Vlorës, ashtu edhe në burg, pas vendimit të GJKKO-së ndaj tij.

Ndërkohë vizita e saj në SPAK vjen vetëm një ditë pas deklaratave të kryeministrit të Greqisë Kyriakos Mitsotakis, i cili gjatë një konference për shtyp, në Panairin e 87-të Ndërkombëtar të Selanikut tha se nuk do të ndalonte së ngrituri këtë çështje dhe veçanërisht për faktin se autoritetet shqiptare nuk po e lejonin Belerin të ushtronte të drejtën e tij për t’u betuar si kryetar i zgjedhur i Himarës, për të cilën ai tha se ishte një shkelje e shtetit ligjor.

Dosja Beleri dhe dështimi i 5 tentativave për lirimi e tij

Teksa pret nisjen e gjykimit në themel në Gjykatën e Posaçme, sot Fredi Beleri do të përballet edhe njëherë me Apelin, për të kërkuar lirim nga qelia.

Me parë, kërkesa e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës për të dalë nga paraburgimi i është refuzuar një herë nga Gjykata e Vlorës, dy herë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, një herë nga ajo e Apelit dhe një herë nga Gjykata e Lartë.

Në vendimin e arsyetuar të kësaj të fundit, zbardhen argumentet e gjykatave për rrëzimin e pretendimeve të Belerit.

Në të tre shkallët e gjykimit trupat gjykuese përkatëse kanë vlerësuar se ekziston dyshimi arsyeshëm, i bazuar në prova, se Alfred Beleri ka kryer veprën penale të “korrupsionit në zgjedhje”.

“Gjykata ka arsyetuar se për shkak të personalitet të personit nën hetim Dhionisios Alfred Beleri, duke qenë se ka qenë i dënuar më parë, ekziston rreziku real që ai të kryejë vepra penale më të rënda ose njësoj të rënda… për shkak të veprës penale për cilën dyshohet, marzhit të dënimit dhe qëndrimit të personit nën hetim, ekziston rreziku real që ai të largohet duke pamundësuar zhvillimin normal të hetimit… për shkak të pozicionit të personit nën hetim ekziston rreziku që ai të ndikojë në marrjen apo vërtetësinë e provave.”

Për të përligjur të njëjtin qëndrim, Apeli i Posaçëm nënvizonte ekzistencën e përpjekjeve për të penguar hetimin.

“Gjykata mban parasysh edhe faktin e referuar nga prokuroria në seancë në gjykimin në Apel se në procesverbalet e vëzhgimit ambiental, nga këqyrja e fotove të ambienteve të lokalit ku janë kryer takimet ndërmjet Z. Dhionisios Alfred Beleri dhe Z. Arsen Rama dhe Z. Pandeli Kokaveshi dhe Z. Arsen Rama, kuptohet se lokali ka kamera sigurie dhe se megjithëse ky fakt ka rezultuar i tille edhe brenda ambienteve të këtij lokali nuk është bërë e mundur deri më tani sekuestrimi i pajisjes së regjistrimit të kamerave të lokalit”.

Në vendimin e saj Gjykata e Lartë theksonte faktin se Alfred Beleri ishte dënuar me 3 vjet burg nga Gjykata e Apelit Vlorës në vitin 2006, nuk ka shkuar asnjëherë në qeli, pasi i është shmangur procedimit penal derisa dënimi me burg i ishte parashkruar.

“Ai i është shmangur dënimit penal të caktuar ndaj tij më parë nga gjykatat për veprat penale për të cilat është dënuar “thirrja për urrejtje nacionale” dhe “poshtërim i Republikës dhe i simboleve të saj”, çka tregon se personi nën hetim Beleri ka një prirje dhe paraqet rrezik jo vetëm për t’u larguar, por edhe për të kryer krime të rënda, ose të të njëjtit lloj, me atë për të cilin procedohet. ”

Më tej, duke e konsideruar Alfred Belerin si person me rrezikshmëri të veçantë Gjykata e Lartë vlerësonte se ai mund t’i intimidojë dëshmitarët e ardhshëm, apo të kontribuojë në prishjen e provave.

Dosja penale në ngarkim të Belerit kaloi për gjykim të enjten e kaluar. Në çdo përballje me gjykatën, prej arrestimit të tij më 12 maj, Beleri ka mohuar akuzën duke e konsideruar të pabazë dhe e ka cilësuar hetimin ndaj tij si të ndikuar nga politika./Pamfleti

spak beleri

Lini një Përgjigje