
Menjëherë pas vendimit të ERE për të ulur me 1 lek çmimin e energjisë për abonentët familjarë, kreu i qeverisë tha kjo vjen si pasojë e reformave të ndërmarra, duke anashkaluar faktin se tani po afrojnë zgjedhjet e 11 Majit.
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka miratuar uljen e çmimit të energjisë elektrike për abonentët familjarë.
Çmimi i ri i energjisë ulet nga 9.5 Lekë në 8.5 Lekë për konsumin 700 KWH, pra ulet me 1 Lek.
Kryeministri Edi Rama e quajti këtë ulje me 1 lek, si historike vetëm katër muaj larg fushatës.
'Ulja e parë e çmimit të energjisë elektrike në këto 35 vite. Kjo na mbush me krenari po të marrim parasysh cfarë humnere e kemi nisur ngjitjen. Ulja është në kundërtendencë të plotë me rajonin e kontinentin ku jetojmë ku çmimet e energjisë jo vetëm janë rritur por dhe janë të kërcënuar nga rritje të tjera.', tha Rama.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi nga data 1 Shkurt 2025 dhe do të jetë në fuqi deri më 31 Dhjetor 2025.
Ulja e çmimit të energjisë me këto tarifa ishte propozim i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Ky vendim është marrë me vendim unanim gjatë mbledhjes së Bordit të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike gjatë ditës së sotme, ku u shqyrtua propozimi i qeverisë për uljen e çmimit të energjisë për abonentët familjarë.
Aktualisht çmimi i energjisë elektrike pë abonentët familjarë është 9.5 lekë për Kwh pa TVSH. Pra çmimi i energjisë elektrike ulet me 1 lek, kështu që me TVSH do të paguajnë 10.2 lekë nga 11.4 lekë aktualisht.
Kush konsumon më shumë se 700 kWh energji elektrike në muaj do të vazhdojë të paguajë 9.5 lekë për çdo Kwh që bashkë me TVSH shkon në 11.4 lekë.
Ulja e çmimit do të prekë vetëm kategorinë e konsumatorëve familjarë, duke përjashtuar kategoritë e tjera si bizneset, institucionet buxhetore dhe jobuxhetore. Ndryshime nuk do të ketë as për furrat e bukës./ Pamfleti
Lini një Përgjigje