Pasi njëri ka përdorur flamurin e PS si maskë për të vjedhur, të tjerët dashkan ta përdorin si letër higjienike, për të fshirë bajgat e korrupsionit me dorën e partisë
Kryeministri Edi Rama i ka hapur derën gjyqësorit për të goditur të vetët.
Arrestimet e SPAK në radhët e PS kanë qenë të shumta, por Rama jo vetëm që nuk ka ndërmend të përgjigjet politikisht, por ata që kanë ndotur flamurin e PS do duhet të përballen me pasojat.
Kryeministri mblodhi sot Asamblenë e PS, ku i lëshoi të gjithë ata që kanë mbushur xhepat. Rama, deklaroi se nuk mbron asnjë që mendon se mund të përdoret flamuri i PS si letër higjienike për të fshirë korrupsionin.
“E dëgjoj shpesh që Rama të lëshon dhe Rama s’të mbron. Unë kam një përgjegjësi të madhe morale, më të madhen pa diskutim. E dini cila është. Nuk është as të skuqem, as të kërkoj ndjesë dhe aq më pak të zbrapsem pse dikujt që i besoj një detyrë, e besoj pa kursim në punë e përbashkët, sepse vetëm bashkë mund ta ngjisim Shqipërinë në majën ku meritojnë fëmijët, i merr emrin pushteti e paraja dhe tradhton jo vetëm besimin tim dhe tuajin, por edhe flamurin e stërgjyshëve dhe bebeve të këtij vendi. Bashkë me flamurin e çdo socialisti. Të cilin sipas atij mësimi të mbrapshtë që qarkullon në atë formën që Rama të lëshon dhe nuk të mbron. Pasi njëri ka përdorur flamurin e PS si maskë për të vjedhur, të tjerët dashkan ta përdorin si letër higjienike, për të fshirë bajgat e korrupsionit me dorën e partisë”, tha ai.
Rama më tej u mburr se reforma u bë vetëm falë PS, teksa ua bëri të gjithëve të qartë se nëse kanë telashe me drejtësinë, duhet të përballen të vetëm, pasi ai nuk i del akujt në krah. Madje ai tha se nuk ka asnjë përgjegjësi morale.
“Përgjegjësia ime morale është mos lërë dy gurë bashkë që drejtësia në Shqipëri të ketë lirinë dhe pavarësinë që i duhet për të ndëshkuar çdo lloj klyshi të atij soji të vjetër politik. Jo se nuk kam asnjë ndjenjë tjetër përveç neverisë kur dëgjoj, jo po se mbrojti jo e lëshon, këdo që ka ngrënë pas shpinës sime, pas partisë e pas një populli të tërë”, tha Rama.
Më tej Rama ka marrë flamurin e mbështetësit të flaktë të drejtësisë. Në Asamblenë e PS ai ua bëri të qartë të gjithëve se nuk mbështet asnjë të korruptuar. Më tej ai i paralajmëroi që të mos ndërhyjnë te SPAK apo organet e tjera të drejtësisë.
“Nuk u tregojmë dot organeve të drejtësisë se çfarë do të bëjnë. Nëse gabimet e tyre janë të një pushteti të ri, gabimi ynë i marrjes së rolit të atij që i di punët e drejtësisë, do ishte faji më madh dhe i paamnistueshëm. Mëkat i tmerrshëm, 100 e kusur vjeçar i pushteti të radhës, ku kemi pasur disa lloje pushtetesh, por nuk e kemi pasur kurrë një drejtësi që nuk i ul sytë përballë fajtorëve të pushtetshëm, kemi pasur vetëm organe kafshimi dhe përdhunimi për llogari të pushteti të radhës”, tha ai.
Lini një Përgjigje