Kryeministri Edi Rama ka shprehur ambicien e tij për të qenë në pushtet deri në vitin 2030. Ai ka mbledhur këtë pasdite Asamblenë e PS, ku do të ketë ristrukturim të partisë dhe të qeverisë. Që në nisje të fjalës, Rama kërkoi më shumë punë për të arritur synimin e vitit 2030.
Më tej ai u ndal te turizmi, duke thënë se këtë vit pati një bum vizitorësh, teksa nuk mungoi jehonë në mediat e huaja.
“Ky është vetëm një fillim i ri nga një nivel i ri. Nuk është maja ku duam të arrijmë në fund të kësaj dekade. Shqipëria 2030 është ende përpjetë dhe sfidat për të arritur atje janë ende më të mëdha. Sa më shumë bëjmë progres, aq më shumë pritet nevoja për dije, fuqizim politik dhe aftësi, cilësi e shpejtësi vendimmarrëse”, tha ai.
Më tej Kryeministri ka kërkuar nga të vetët që të bëjnë më shumë sa i takon turizmit. Duke folur në Asamblenë e PS, Rama u ndal te turizmi, duke u mburrur me fluksin e madh të vizitorëve. Ai kërkoi që të korrigjohen gabimet e së shkuarës dhe të punohet më fort.
“Ta ngulisim në kokë se korrigjimi i së tashmes është arsyeja e ekzistencës sonë politike. Domosdoshmëri që duhet ta ushqejmë pa pushim është organizimi jonë politik dhe qeverisës. Për shembull korrigjimi i së tashmes së Maldiveve të Evropës, siç na quajtën të huajt që deri dje na quanin shpella e Evropës. Askush nuk duhet të mbyllë sytë para problemeve. Janë shumë si infrastruktura e Ksamilit, e me radhë në disa pika të tjera. Nga Lezha e Shkodra, deri në Durrës dhe Sarandë. Korrigjimi i së tashmes kërkon që askush prej nesh të mos i mbyllë hundët përpara gropave septike të jo pak hoteleve përgjatë bregdetit. Kjo forcë qeverisëse të mos mbyllë sytë përballë kërkesës për shërbime cilësore krahë pune”, tha Rama.
Në përditësim...
Lini një Përgjigje