TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Shkurt 2025, 11:55

Apeli i Romës rrëzoi Melonin, 43 emigrantët kthehen në Itali

Shkruar nga Pamfleti
Apeli i Romës rrëzoi Melonin, 43 emigrantët kthehen në Itali
Anija në Shëngjin

Autoritetet Italiane dhe shqiptare janë vënë menjëherë në lëvizje për zbatimin e vendimit të gjykatës së Apelit të Romës lidhur me 43 emigrantët të mbajtur në qendrat e ndërtuara nga Italia në Shqipëri.

Anija e rojes bregdetare Italiane ka mbërritur në portin e Shëngjinit, për marrjen e 43 emigrantëve të cilët po qëndrojnë në kampin e Gjadrit prej ditës së martë. Pritet që ata të sillen në Shëngjin dhe të nisen menjëherë drejt Italisë.

Gjykata e Apelit në Romë vendosi ditën e djeshme të shpallte të pavlefshëm arrestimin dhe të pezullonte paraburgimin e 43 shtetasve bangladeshas dhe egjiptianë që u sollën në Gjadër më 28 janar.

Në qendrën e Gjadrit, nga 49 emigrantët që mbërritën më 28 janar, 43 qëndruan, ndërsa gjashtë prej tyre u kthyen sërish në Itali për shkak se ishin të mitur ose vulnerabël dhe për rrjedhojë nuk kishin të drejtë për procedurën e përshpejtuar të azilkërkimit.

Përplasjet mes qeverisë italiane dhe gjyqësorit për transferimin e emigrantëve në brigjet shqiptare vijojnë të jenë të forta.

Ndërkohë qeveria italiane ka vendosur të bëjë ankim në Gjykatën e Kasacionit.

Vetë kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka kritikuar ashpër vendimin e gjyqtarëve duke e konsideruar si një përpjekje për të sabotuar politikat e qeverisë së saj, pasi gjykata ka argumentuar se Egjipti dhe Bangladeshi, vendet e origjinës së migrantëve, nuk mund të konsiderohen vende të sigurta sipas rregullave evropiane.

Fakti që Shqipëria nuk është ende pjesë e Bashkimit Europian dhe rrjedhimisht nuk është pjesë as e sistemit evropian të azilit, ka ngritur shqetësime për të drejtat e azilkërkuesve. Marrëveshja e emigrantëve mes Shqipërisë dhe Italisë pritet të marrë zgjidhje përfundimtare pasi vendimit të Gjykatës Evropiane e cila do të shprehet përfundimisht më 25 shkurt.

Lini një Përgjigje