
Sfidat mes dy arinjëve, por edhe ato mes Amerikës dhe Evropës, në tregun e interesave që janë në ofertë: merr cilën të keqe të duash...
Amerika e llojit heshtje, ka ndezur debat qiellor mes sheikëve të fshatit tonë. Qiellza e politikës, ku mbështetet gjuha e fushatës elektorale të zgjedhjeve të 11 majit, është mbushur me puçrra, dhe dy liderët kryesor, Rama dhe Berisha, lëshojnë broçkulla të lloj-llojshme e shpjegojnë ëndrrat e veta.
Babloku betohet në ‘kokë’ të Olta Xhaçkës, se treni i Evropës është i ngrohtë dhe nuk ka asnjë faj se Amerika u ftoh në tajare, apo pse gjykata urdhëron SPAK-un që Olta të merret nën akuzë penale. As i thyhet humori me Lulin në rrjetet sociale, as bën bilancet e sukseseve të qeverisë, e as gjen strehë ku të mbrojë pasuritë.
Pa çadër amerikane këtë herë, breshëri i pyetjeve dhe furtuna e përgjigjeve, në emisioni “sy m’sy”, lëshojnë rrufe mbi ata që kërkojnë pak diell drejtësie.
Babloku, “sy m’sy”, po ju qërron sytë fshatarëve, që të mos shohin si po bien njëri pas tjetrit hajdutët e pushtetit.
Me po kaq zell, edhe Berisha, po frymëzon ata që rrinë në fund të pretendimeve, se “kush voton 1-shin, është 1-sh”.
Të dy premtojnë mot të mirë dhe shohin ëndrra të lloj-llojshme, se ngricat perëndimore nuk mund t’i dëmtojnë pemët e pranverës, e fruta do të ketë me bollëk.
Ca mollë e dardhë, vërtetë i kanë ngrënë grabitqarët pas kurrizit të Bablokut, por kot nuk e kemi atë shprehjen, “molla do të bëhen me bollëk, se i do Arusha”.
2 arinjtë, numërojnë edhe yjet në Qiellin e investimit amerikan mbi reformat në Drejtësi, për fat të keq të tyre, të shtuar përtej heshtjes hënore dhe ironisë fisnore.
Fisi i sheikëve po shullëhet në shpatin e akuzës, atje ku ende piqen ca fruta.
Që të mos na ngatërrohet oreksi për hajdutëri me urinë për drejtësi, apo edhe nxitimi me durimin, bash në pikën ku takohen tregjet e pasurive të taksave të atyre që deri më sot shikonin me sy gjithçka, e nuk preknin me duart që u dridheshin si gjethe fiku asgjë, le ta shtrojmë muhabetin dyst, fshatçe dua të them.
Ka rënë heshtje oazeve të skandalet të të fortëve, skafandrave të spakistëve, deklaratave të diplomatëve, por ama ka plasur potere gjithandej, nga Kina, Serbia, Rusia, vendet arabe, prandaj edhe s’kemi pse të habitemi që 2 arinjtë akoma kanë tagër të bëjë tellallin e të firmosin fatura me buzëqeshje të sforcuar dhe nënshkrim të paguar, mbi gjithçka kontrollojnë brenda tempullit të marrëveshjeve të veshura me mister.
Të 2 kanë janë plakur, të 2 kanë hapur rubinetet rrumpallë të propagandës antiamerikane, duke lëshuar broçkulla mbi të vetët.
Në kohën e Noc Rrokut, nuk ka vlerë fjala e Tik Tokut, por shkelja e syrit në emisionet “sy m’sy” të këtij që kërkon mandatin e katërt, krah për krah atij që synon rikthimin e tretë me moton “kush voton 1-shin është 1-sh”.
Sfidat mes dy arinjëve, por edhe ato mes Amerikës dhe Evropës, në tregun e interesave që janë në ofertë: merr cilën të keqe të duash.
Kolibet nuk kanë mall tjetër, përveç dy ekstremeve, të Saliut që nuk kalon Oqeanin, por ca e duan si Diellin në dimër, dhe të Bablokut, që tellallis se “Amerikanët është ftohur në tajare”, por nuk është faji i tij./Pamfleti
Lini një Përgjigje