Ambasada amerikane prej afro 2 vitesh vijon të mbetet pa drejtues....
Ambasadori i ri amerikan në Tiranë pritet të propozohet nga Donald Trump.
Që pas largimit të Yuri Kim ambasada ka qenë pa drejtues, kjo për shkak se Senati i SHBA bllokoi kandidaturën e David Kostelancik, emër i propozuar nga presidenti në largim Joe Biden. Republikanët nuk e votuan emrin e tij, duke e zvarritur për afro 2 vite procesin. Mirëpo dje kandidatura e tij është “djegur”.
Senati Amerikan njofton se më 3 Janar të këtij viti, propozimi për emërimin e David Kostelancik si ambasador në Shqipëri i është kthyer Presidentit Biden sipas rregullit derisa Senati nuk e ka konfirmuar dhe as refuzuar kandidaturën brenda afatit që ka në dispozicion.
Në shkresën drejtuar Presidentit, Senati shprehet se refuzimi i emrit në fjalë u bë sipas dispozitave të Rregullores XXXI të Senatit, paragrafi 6.
Kjo rregullore dhe ky paragraf, flasin për kthim mbrapsht të emrave për çështje afatesh. Bashkë me emrin në fjalë, janë kthyer dhe shumë kandidatë të tjerë. Sipas paragrafit, kur Senati merr pushim për më shumë se 30 ditë, të gjitha kandidaturat i kthen mbrapsht te presidenti. Por ky i fundit ka të drejtë që t’i ripropozojë emrat në fjalë, ose nëse do mund të sjellë emra të rinj.
“Ndryshe nga një numër rregullash të Senatit që kërkojnë zbatim proaktiv, nominimet që janë as të konfirmuara dhe as të refuzuara kthehen automatikisht sipas Rregullës XXXI, kur Senati ka shtyrë votimin ose shqyrtimi është ndërprerë për një periudhë prej më shumë se 30 ditësh”, sqaron Senati.
Por duke qenë se Biden është dy javë larg largimit, ripropozimi i emrit duket i vështirë. Më 20 janar, Donald Trump do të betohet si president dhe do të marrë zyrtarisht detyrën. Pra me shumë mundësi do të kemi një emër të ri, pasi vështirë se Trump propozon të njëjtin emër si Biden. /Pamfleti
Lini një Përgjigje