I pranishëm në konferencë ka qenë edhe kryeministri Rama...
Një skandal diplomatik ka ndodhur në Tiranë pak ditë më parë, duke shkaktuar përplasje mes Shqipërisë dhe Kosovës. Skandali është mbajtur i fshehtë dhe ka dalë sot në dritë nga zëvendësministri i Financave të Kosovës, Agon Doburuna.
Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Albana Koçiu ka zhvilluar më 10 prill konferencën “Avancimi i Reformave në Kujdesin për Fëmijët: Eksplorimi i Kuadrit të Garancisë Evropiane për Fëmijët”. Por Kosova aty është prezantuar me fusnotë, duke ju referuar Rezolutës 1244 të OKB-së.
Si reagim ndaj kësaj mënyre përfaqësimi, zëvendësministri Agon Doburuna, braktisi konferencën në shenjë proteste.
Në një postim në Facebook, Doburuna tha se ishte i detyruar të largohej nga takimi ku ishte edhe Rama dhe të refuzonte nënshkrimin e Deklaratës së Angazhimit, për shkak të, siç e cilësoi ai, “trajtimit të papranueshëm të Republikës së Kosovës.”
“Mënyra si u trajtua përfaqësimi i Kosovës ishte thellësisht zhgënjyese dhe e papranueshme për një shtet sovran, që kontribuon në mënyrë aktive dhe të barabartë në këto procese”, shkroi Doburuna.
Sipas tij, kërkesa për korrigjimin e këtij përfaqësimi u injorua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë – organizatore e konferencës – duke cenuar frymën e bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë që kjo konferencë synonte të promovonte.
“Kosova është një realitet i pamohueshëm ndërkombëtar. Ne jemi të përkushtuar thellësisht për të garantuar të drejtat e fëmijëve tanë dhe për të kontribuar në paqe e stabilitet në rajon, por kjo nuk mund të bëhet duke na mohuar subjektivitetin shtetëror”, theksoi Doburuna në reagimin e tij publik.
Më 24 shkurt të vitit 2012, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për përfaqësimin rajonal, që më vonë u bë e njohur si “marrëveshja e fusnotës”.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, fusnota do t’i shtohej emrit të Kosovës sa herë që vendi do të përmendej, për ta mundësuar përfaqësimin në konferenca e iniciativa të ndryshme rajonale e ndërkombëtare. Por nuk i shkon Shqipërisë të bëjë një përcaktim të tillë.
Lini një Përgjigje