
Nga Rama, te Meta dhe Berisha, politika shqiptare me sytë nga “shpëtimtari” Donald Trump!
Gara presidenciale në SHBA është ndezur, teksa jemi afro 3 muaj para zgjedhjeve. Padyshim nga presidenti i ri varet dhe politika e shumë shteteve. Por duket se ata që po e ndjekin me më shumë interes janë krerët e politikës shqiptare.
Hahen, shahen, masakrohen dhe çfarë nuk i thonë njëri-tjetrit, por duket se Rama, Meta dhe Berisha kanë një gjë të përbashkët: Donald Trump. Ndonëse nuk e kanë deklaruar hapur, të tre janë me sytë te ai, pasi e shohin si shpëtimtar.
Ai që po pret me padurim është Sali Berisha. Ai u shpall i padëshiruar dhe ka shpresë se me ardhjen e Trump dhe ngritjen e Richard Grenell në një post të lartë, ndoshta Sekretar Shteti, do i hiqet ajo damkë. Po ashtu, shpresa e tij është se më pas politika amerikane do të ndikojë te drejtësia dhe ai do ja hedhë paq.
Berisha ka disa dosje të hapura dhe madje një ndër to është në duart e amerikanëve, dosja e Gërdecit. Pra më shumë se kushdo tjetër, ai që po i pret me padurim zgjedhjet është Saliu. Por, ikja e Biden dhe dalja e Kamala Harris duket se i ka ngecur buzëqeshjen, pasi ajo ka filluar të shihet favorite.
Emër tjetër është padyshim Ilir Meta. Për të gjithë ata që nuk e dinë Ilir Meta i ka shpëtuar një herë drejtësisë falë ndikimit të republikanëve. Para se të zgjidhej Donald Trump president në vitin 2016, Meta po hetohej për dosjen CEZ-DIA. Por ai që e pësoi ishte Kastriot Ismaili.
Në atë kohë, Meta loboi fort në SHBA dhe hetimet për të u spostuan, duke u harruar fare më pas. E kemi fjalën për ato lobime për të cilat tani po hetohet. Shpresat e Metës janë se do të përsëritet skenari dhe falë ardhjes në pushtet të republikanëve, mund të ketë ndikim te drejtësia që ai të mos dënohet. Duket se kjo është dhe arsyeja e presioneve të tij, pasi po lufton fort që të mos prangoset para 5 nëntorit.
Emri i tretë është Edi Rama, i cili ndonëse është mbështetur nga qeveria aktuale, i ka rregulluar mirë punët me Trump. Vajza dhe dhëndri i tij kanë marrë Sazanin dhe një pjesë në Jug të Shqipërisë, ku do të investojnë. Marrja e pushtetit nga Trump, do të ishte një minierë ari për Ramën.
Po ashtu dhe garanci nga SPAK. Rama ka dosjen e McGonigal dhe po ashtu i vëllai po hetohet për Xibrakën. “Pamfleti” e tha pak ditë më parë se SPAK i ka dërguar një shkresë për ta marrë në pyetje dhe kryeministri hedh vickla.
Pra, Trump shihet si shpëtim nga politika shqiptare dhe dalja në skenë e Harris duket se i ka pikëlluar jo pak Edin, Ilirin dhe Saliun. /Pamfleti
Lini një Përgjigje