TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Prill 2025, 20:04

A do ta bëjnë ndryshimin emigrantët më 11 maj? Vijnë fletët e para nga diaspora, rreth 600 zarfe depozitohen në ‘Parkun Olimpik’

Shkruar nga Pamfleti

A do ta bëjnë ndryshimin emigrantët më 11 maj? Vijnë

Në total janë mbi 294 mijë shqiptarë me banim jashtë që mund të marrin pjesë në votim më 11 maj...

Mbërrijnë fletët e para të votimit nga diaspora. Janë qindra emigrantë që nuk e kanë vonuar votën e tyre, por e kanë vendosur për kë do të votojnë sapo ju shkoi zarfi në banesë.

Sot posta ka depozituar te Parku Olimpik afro 600 zarfe nga diaspora. Është menduar që me dorëzimin e tyre në prani të përfaqësuesit të partive, KQZ do të bëjë numërimin e tyre dhe nxjerrjen e zarfeve me fletën e votimit nga zarfi i verdhë ambalazhues.

Zarfi B që përmban shtetin dhe qarkun ku do të shkojë vota do të vendoset në kutitë e votimit që janë të rreshtuara.

Për këtë proces që shkoi ta ndiqte nga afër, Celibashi u shpreh me nota pozitive për punën e deritanishme, duke nënvizuar se mbi 36% e totalit të fletëve të votimit janë dërguar.

Të dhënat janë inkurajuese, fletët do të do të qëndrojnë këtu nën syrin e monitoruesve”, tha ai.

Në total janë mbi 294 mijë shqiptarë me banim jashtë që mund të marrin pjesë në votim më 11 maj, ndërkohë më shumë se 48 mijë kërkesa u refuzuan për shkak të mangësive të ndryshme.

Kërkesat kanë qenë nga më shumë se 100 shtete të ndryshme të botës, por më shumë emigrant janë regjistruar nga Italia dhe Greqia ku jetojnë dhe komunitetet më të mëdha. Në vend të tretë janë  Gjermania, pasuar nga Shtetet e Bashkuara.

Sipas parashikimeve ligjore, vota e emigrantëve do të llogaritet në qarkun ku ata kanë rezidencën në Shqipëri. Më shumë se 52 mijë votues të regjistruar i përkasin Tiranës, e pasuar nga Fieri me mbi 32 mijë votues nga jashtë dhe Elbasani e Durrësi me pak më shumë se 25 mijë votues nga jashtë.

Vota nga jashtë shihet vendimtare në këto zgjedhje, pasi ajo mund të bëjë diferencën. Në skenë kanë dalë shumë parti të reja dhe ato pretendojnë se kanë mbështetje nga jashtë. Pra 11 maji mund të jetë muaji i ndryshimeve të mëdha. Bëhet fjalë për afro 300 mijë vota. /Pamfleti

Lini një Përgjigje