Rama vijon me lojërat e fjalëve për Dumanin dhe tenton të marrë meritat e drejtësisë...
Kryeministri Edi Rama u është rikthyer mesazheve për Altin Dumanin dhe deklaratave për sistemin e drejtësisë.
Pasi u tërhoq nga sulmet dhe akuzat, Rama ka filluar tani mburret se pa të, shqiptarët do të ishin zhytur në korrupsion.
Ai ishte sot në Dibër dhe shfrytëzoi rastin për të bërë lojëra fjalësh me kreun e SPAK, i cili është po nga Dibra. Rama vijoi me avazin se ja dha ai shpatën e goditjeve të forta.
“Altin Dumani, meqë është i zonës po e përmend këtu në miting, ka qenë prokuror shumë vite. Po ky ka qenë, nga Dibra, i ndershëm, i zoti, i papërzier me asgjë tjetër përveç punës së vet, por e kishit dëgjuar ju Dumanin të merrte në pyetje ndonjë person të njohur? Por si u bë kaq i fortë ky Altin Dumani? U bë i fortë sepse ne bëmë atë që nuk e ka bërë asnjë forcë që ka qeverisur, mbretëruar, sunduar që nga 1912. Ne i dorëzuam drejtësisë shpatën e ndëshkimit që i takon drejtësisë”, tha Rama.
Më tej ai u kërkoi socialistëve të jenë krenarë me arrestimet në radhët e tyre. Sipas tij, ka edhe brenda PS-së njerëz të padenjë.
“Është për të vënë duart në kokë dhe na thonë se si votoni këta që gjysmit janë në burg, gjysmit për në burg. Është të vësh duart në kokë. Ne duam një drejtësi të godasë drejt, të mos shohë majtas e djathtas. Për kë e kisha kur thosha majtas, për Noc Rrokun, për ne pra. Dhe fuqia jonë morale, karakteriale, politike, për tu ngritur mbi veten dhe për të qenë të gatshëm për të pranuar dhe goditjet e drejtësie, kur vijnë brenda shtëpisë sonë, kur brend shtëpisë ka njerëz të padenjë, jo një arsye që të ulim kokën, por të jemi krenarë se po i japim Shqipërisë diçka që nuk e ka pasur kurrë”, tha ai më tej.
Pas arrestimit të Veliajt, Rama nisi një valë sulmesh dhe kërcënimesh ndaj drejtësisë. Por më pas e ndaloi “si me thikë”. Në sondazhet e brendshme që bëri PS, Rama po humbiste shumë pikë dhe kjo bëri që të ndërrojë kurs. Tani merret me lojëra fjalësh dhe kërkon të marrë meritat e goditjeve të SPAK. /Pamfleti
Lini një Përgjigje