
Rikthim në kohën e Plepave apo siç thoshte Berisha, rikthim në kohën e Mark Abdisë…
E gjithë retorika e ashpër ishte thjesht sa për ‘sy e faqe’. Edi Rama dhe Sali Berisha bashkuan votat në një mazhorancë të frikshme që kapi 108 vota në Kuvend. Mazhorancë që nuk është pasojë e një konsensusi politik, për interesa të përgjithshme. Por një pazar apo pakt i qartë, që duket se krismën do ta dëgjojmë më vonë.
Mobilizimi i madh për të treguar një numër kaq të madh deputetësh, nuk është i zakontë, asnjëherë kur ka pasur një dakortësi bipartizane për të kaluar ligje të rëndësishme.
Kemi të bëjmë më shumë me një sinjal politik krejt të hapur, që po përgatit manovrën e pas zgjedhjeve të 11 majit. Manovër që konsiston në atë që Sali Berisha e deklaron dhe Edi Rama e fsheh, por që e ka në mendje e në plan: shkrirjen e SPAK!
Siç mësohet, nga burime të mazhorancës, e gjitha kjo nuk është teori por një plan konkret, madje i shkruar.
Pak javë më parë, disa emra të njohur të mazhorancës që kanë drejtuar Gjykatën Kushtetuese, i kanë dërguar Edi Ramës një draft, i cili flet për rikthimin e Prokurorisë së Përgjithshme si organi qëndror i akuzës. Por që të ndodhë kjo do të duhet të përmbysen ndryshimet Kushtetuese të vitit 2016, të cilat i japin SPAK-ut ekskluzivitetin e hetimit të zyrtarëve të lartë.
Plani në këtë gjendje të re gjeopolitike botërore, mësohet se është që të mbyllin epokën e SPAK-ut me një teori të butë, që tashmë, kaloi faza e emergjencës, e hetimet për korrupsion, mund t’i kryejnë prokuroritë e zakonshme.
Prokuroria e Përgjithshme sipas draftit që i ka shkuar në tryezë Edi Ramës, do të ketë sërish kompetencën për hetimet e zyrtarëve të lartë, vetëm se jo thjesht Kryeprokurori, por edhe prokurorë të tjerë, ku mund të punësohen edhe ata të SPAK-ut pas shkrirjes kushtetuese që Prokuroria e Posaçme pëson sipas dratit. Po ashtu përveç SPAK-ut do të shkrihet edhe Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit,
E gjitha kjo do të ambalazhohet me të ashtuquajturin Komision Special Parlamentar, që do të hartojë reformën e re në Drejtësi.
E cila nuk do të ndalet thjesht vetëm me eleminimin e të ashtuquajturave institucione të përkohshme si SPAK dhe GJKKO, por edhe në bazën e legjislacionit që do të ndjekin gjykatat e prokuroritë në ndjekjen penale.
Drafti parashikon korniza të qarta, të cilat janë kufizimi në lidhje me prokurorinë. Kështu për shembull, theksohet se duhet t’i jepet fund masës së arrestit për zyrtarë të lartë, duhet të ndalohet marrja e telefonave, të ndalohet që një gjykatë të dënojë me më shumë se kërkon prokuroria, apo që Apeli të kërkojë më shumë se Shkalla e Parë.
Me fjalë të tjera, rikthim në kohën e Plepave apo siç thoshte Berisha, rikthim në kohën e Mark Abdisë./Pamfleti
Lini një Përgjigje