
Shkrimtari me famë ndërkombëtare Ismail Kadare është nderuar me titullin “Ukshin Hoti” nga Komuna e Rahovecit.
Në një ceremoni të veçantë, u kujtua komunikimi i Kadaresë dhe Ukshin Hotit, gjatë kohës që ky i fundit ishte në burg. Ndërkohë, u tha se besimi i Ukshin Hotit te Evropa nuk duhet të humbë tek të gjithë në Kosovë.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smail Latifi foli për kontributin dhe veprën e Ukshin Hotit, si dhe komunikimin mes Hotit dhe shkrimtarit Kadare. Bashkëshortja e Ismaili Kadare, shkrimtarja Helena Kadare, e cila ishte e pranishme në ceremoni, u shpreh se Ukshin Hoti është një njeri që besoi dhe luftoi për ide duke besuar në një forcë të jashtëzakonshme që është në shpirtin e këtij vendi të cilin historia e ka ndëshkuar vazhdimisht.
Ajo shtoi se gjithë veprimtaria e Ukshin Hotit janë një testament i rëndësishëm mbi të cilin duhet të vijojë puna për Kosovën demokratike që sheh drejt Evropës.


Kujtojmë se, shkrimtari Ismail Kadare është dekoruar me urdhrin “Hasan Prishtina”, nga presidentja Vjosa Osmani. Kadare është falënderuar për përkushtimin me të cilin e ka mbrojtur të drejtën e Kosovës për liri e pavarësi, si dhe për mjeshtërinë e jashtëzakonshme në artin e fjalës së shprehur përmes veprave të tij.
Lini një Përgjigje