
Shkrimtari Ismail Kadare është dekoruar me urdhrin “Hasan Prishtina”, nga presidentja Vjosa Osmani.
Kadare është falënderuar për përkushtimin me të cilin e ka mbrojtur të drejtën e Kosovës për liri e pavarësi, si dhe për mjeshtërinë e jashtëzakonshme në artin e fjalës së shprehur përmes veprave të tij.
Dekorimi i shkrimtarit të mirënjohur shqiptar është bërë në Presidencën e Kosovës, në ditët kur në Prishtinë po mbahet edicioni i 23-të i Panairit të Librit.
Duke folur për shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare, presidentja Osmani ka thënë se vepra e tij është një enciklopedi artistike e jetës së rëndomtë të shqiptarëve dhe historisë së tyre.
“Për mjeshtërinë e jashtëzakonshme në artin e fjalës të shprehur gjithandej veprave të tij, për përkushtimin me të cilin e ka mbrojtur të drejtën e Kosovës për liri e pavarësi, si dhe për vlerat letrare e intelektuale me të cilat është paraqitur nëpër botë dhe me të cilat e ka lartësuar gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe, si dhe vet popullin shqiptar”, u shpreh Osmani.
Ndërsa, shkrimtari Ismail Kadare u shpreh se ky urdhër nënkupton nderim të madh për të.
“Jam shumë i prekur të jem midis jush për këtë nderim kaq të madh, çdo njëri, çdo shqiptar do ta ëndërronte një gjë të tillë. Është një fat i rrallë që një popull të të nderojë dhe të të quaj bashkëmbrojtës të të drejtave të tij, të lirive të tij, sidomos kur ky popull le ka rrugën e historisë të vështirë”, tha Kadare.
Lini një Përgjigje