TAGS-AT E JAVËS

Kulture 7 Qershor 2025, 20:46

“Mos prekni Spaçin”, ish të përndjekurit dhe aktivistët protestojnë kundër ndërhyrjeve: Po deformoni kujtesën historike!

Shkruar nga Pamfleti

“Mos prekni Spaçin”, ish të përndjekurit dhe

Kampi famëkeq i Spaçit, simbol i dhimbjes dhe vuajtjes së të përndjekurve politikë, është rikthyer në qendër të debatit publik. Këtë të shtunë, dhjetëra aktivistë dhe ish-të burgosur politikë u mblodhën në vendngjarje për të protestuar kundër punimeve që po zhvillohen në emër të një “projekti konservues”.

“Jemi këtu sot sepse jemi shumë të shqetësuar me mënyrën si ky burg dhe ky kamp po trajtohet,” u shpreh aktivisti Vison Doshmi. “Ky është një vend ku mijëra njerëz kanë vuajtur një burgim të tmerrshëm dhe të paimagjinueshëm.”

Ndërhyrjet që janë kryer në ambientet ku dikur bëheshin kontrollet e vizitorëve apo në godinat e oficerëve të kampit, janë cilësuar nga protestuesit si një akt i rëndë i deformimit të historisë. “Të tjetërsosh origjinën e këtij vendi është një krim i shëmtuar, t’i heqësh njerëzve të drejtën për të kthyer kokën pas,” deklaroi Gjergj Lekaj. Nuri Stefaj, një tjetër ish-i burgosur, u shpreh se “nuk kemi kundërshtim të bëhen filma, dokumentarë, çfarë të duan, por ambienti të rrijë kështu siç është”.

Fatos Lubonja, një nga zërat më të fortë kritikë të projektit, u shpreh se po ndodh “shkatërrimi i kujtesës dhe një falsifikim i asaj që duan të bëjnë”. Ndërsa Demir Pojani theksoi se “vuajtjet e të burgosurve këtu dëgjohen ende – në këto ofshama, nuk duhet të ketë sarkazëm”.

Pas reagimeve të forta, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) reagoi duke sqaruar se disa nga ndërhyrjet, përfshirë ringritjen e banjove dhe tarracën mbi to, nuk janë aprovuar nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe nuk përfshihen në projektin zyrtar. Sa i përket elementeve të tjera si kulla metalike, një copë rrethimi, një portë dhe kangjella – MEKI premton se do të realizohen vetëm nëse përputhen me dëshmi dhe foto historike dhe se do të jenë të çmontueshme.

Por aktivistët nuk janë të qetë. Ata paralajmërojnë se do të vazhdojnë qëndresën dhe kundërshtimin e tyre publik, duke mbrojtur me ngulm çdo gur dhe gjurmë të Spaçit – jo për nostalgji, por për dinjitetin e kujtesës kombëtare.

Lini një Përgjigje