TAGS-AT E JAVËS

Kulture 3 Qershor 2025, 19:41

“Mafia me kravatë”/ Princi i kurorës, rrëmbyes i vlerave dhe miqësia me Jared Kushner

Shkruar nga Dritan Haxhiraj
“Mafia me kravatë”/ Princi i kurorës, rrëmbyes i
Jared Kushner dhe Muhammad Bin Salman /

Nga vallja e shpatave me Trump në grushtin e artë të pushtetit: si u kthye Mohammad bin Salman në autokratin më të sofistikuar të epokës digjitale

Pjesa e dytë, vijon nga Pjesa e Parë

Nëse fjalimi i Barack Obamës në Kajro në qershorin e vitit 2009 u interpretua më pas si një nga shtysat e Pranverës Arabe, vizita e Donald Trump në Arabinë Saudite më 20 maj 2017, meriton gjithashtu një vend nderi në historinë e teorive të konspiracionit moderne.

A e dinte Trump se brenda pak javësh pas shkeljes së këmbës në Riad, do të ndodhte një grusht i heshtur brenda familjes mbretërore? A i kërkuan sauditët një “dritë jeshile”? A e morën bekimin amerikan për revolucionin e tyre të brendshëm? Këto pyetje qëndrojnë pezull, por koincidenca është tronditëse.

Vetëm një muaj më vonë, Mbreti Salman përmbysi trashëgimtarin e ligjshëm, Muhammad bin Nayef, dhe në vend të tij ngjiti të birin: Mohammad bin Salman, ose thjesht MbS. Një 32-vjeçar i panjohur për publikun e gjerë ndërkombëtar, por me një ambicie të padurueshme për të qenë gjithçka në një shtet absolut.

Brenda pak muajsh, MbS bëhet ministër i Mbrojtjes, kontrollon naftën, ekonominë dhe strategjinë kombëtare, rrëmben pushtetin me një manual që i ngjan atij të Xi Jinping, Putinit dhe Erdoganit.

Populist, autoritar, i zoti për të krijuar imazhe moderne ndërsa mban të padiskutueshëm kontrollin tradicional, MbS bëhet njeriu i vetëm që ka rëndësi në Arabinë Saudite.

Rruga drejt pushtetit nuk ishte vetëm politike, ishte edhe spektakolare. Rrëmbimi dhe “burgosja e artë” e dhjetëra princave në Ritz-Carlton për korrupsion, shndërroi narrativën e brendshme të pushtetit në një reality-show të përmasave globale. Kjo lëvizje, që kritikët e quajtën “mafie me kravatë”, solli në arkën e shtetit saudit mbi 100 miliardë dollarë. Vetëm për krahasim: është pesë herë më shumë se Prodhimi i Brendshëm Bruto vjetor i Shqipërisë.

Por nëse rrëmbimi i princave ishte grusht i brendshëm, rrëmbimi i Saad Haririt, Kryeministrit të Libanit ishte një sinjal për botën: MbS do të fliste me gjuhën e fuqisë. Të gjithë u tronditën. Por asnjë nuk e ndëshkoi.

Në të njëjtën kohë, për të zbutur imazhin e brendshëm dhe ndërkombëtar, princi shpall një reformë që kishte dekada që pritej: të drejtën që gratë saudite të ngasin makinën. Bota liberale reagoi me entuziazëm, siç pritej. Por askush nuk pyeti se përse duhej që një akt minimal civilizimi të vinte përmes një spektakli kaq autoritar.

MbS dinte si të operonte. Vizitat në Silicon Valley, takimet me Elon Musk, Bill Gates, Jeff Bezos, krijuan një aureolë të re për princin e ri që përdorte të njëjtën dhunë të vjetër, por me një paketim që ndjell admirim në perëndim.

A ishte Jared Kushner ai që i mësoi MbS-it këtë stil? A ishte vizita e Trumpit momenti kur dritat jeshile u ndezën për “modernizimin autoritar”? A ishin vallë 110 miliardë dollarë armë një investim për garancinë se SHBA nuk do të ndërhynte në mënyrën si drejtohej monarkia?

Historia e përgjigjeve për këto pyetje mbetet për librat e mëvonshëm. Por ajo që dimë, është se MbS nuk është një përjashtim nga e shkuara saudite, ai është përkryerja e saj. Ai nuk është reforma, është kontrolli i reformës.

Dhe ndërsa Thomas Friedman e përshkruante me entuziazëm në një intervistë për The New York Times në nëntor 2017, komuniteti ndërkombëtar më shumë heshti sesa kritikoi…(Vijon…)/Pamfleti

mohammad bin salman mafia me kravate princ i kurorës

Lini një Përgjigje