
Ja plani për Spaçin, Gonxhe nuk pyet për kritika...
Ish-të përndjekurit politikë, dhe sidomos ata që kanë vuajtur burgun në Spaç, kanë kërkuar prej vitesh që ai të kthehet në një muze. Një muze ku të dëshmohej skllavëria e burgut famëkeq ndaj të gjithë atyre që ngrinin zërin kundër sistemit. Në Spaç kanë vuajtur dënimin me qindra e qindra persona, të cilët rrënqethin me rrëfimet e tyre për vuajtjet që kanë kaluar aty.
Por, në vend që të dëshmohet e shkuara e hidhur në këtë burg, ditët e fundit është vënë re se ka nisur suvatimi i godinave në Spaç, duke mbuluar gjithçka. Prej 3-4 ditësh ka plasur një debat i gjerë, ku aktivistët dhe specialistët kanë kundërshtuar me forcë një projekt të tillë, ndërsa vetë qeveria duket se nuk ka ndërmend të ndalet.
Shqetësimi u nda fillimisht nga arkitekti Arnen Sula. Ai ndau në rrjetet sociale foto të mureve të suvatuara. Ndërsa Ministria e Kulturës u justifikua se nuk bëhet fjalë për restaurim, por janë ndërhyrje të pjesshme, pjesë e një skenari filmi.
Por pavarësisht justifikimeve, ka pasur shumë kritika mbi këtë projekt. Një ndër ata që kanë vuajtur në Spaç është Fatos Lubonja, i cili e ka kritikuar fort.
“Kam kaluar gati 10 vite në Spaç, nga 17 vite burg në total. Jam takuar herët me rrënimin e Spaçit dhe gjithnjë ngjyra e bardhë më ka goditur. Që në fillim të viteve ’90 ka pasur ndërhyrje në Spaç dhe nisi rrënimi. Kishte ardhur një kompani kanadeze në minierë dhe kishte prishur një pjesë të kampit. Tani është një kompani turke aty afër dhe plot zhurma me kamionë. Ndërkohë që duhej të ishte një qetësi. Një shkatërrim i kujtesës. Duan të nxjerrin para edhe me kujtesën e vuajtjes. Tani na bëjnë tjetër gjë në emër të rindërtimit. Fshijnë gjurmët e historisë, ngjarjet historike. Është një ndjenjë e keqe, e prishjes së kujtesës. Nuk është inat dhe akuzë. Ka shumë argumente pse nuk duhej ndërhyrë në Spaç”, tha Lubonja.

Por edhe pse ka shumë kritika, Blendi Gonxhja dje nuk jepte asnjë shenjë tërheqjeje. Ai reagoi me një gjuhë përçmimi ndaj kundërshtuesve të projektit, duke i quajtur ata “Sanço Pançot e politikës së vjetër” dhe reagimin e fortë publik si një “tymnajë të panevojshme”.
“Së fundmi është krijuar një ‘tymnajë’ e panevojshme në lidhje me ish-burgun e Spaçit, duke injoruar jo vetëm degradimin ekstrem fizik, por duke sajuar fabula mbi ‘prishje të kujtesës historike’ apo ‘qoka’ për hir të një filmi, çka është keqinformuese, por edhe dashakeqe në thelb.
Për të gjithë të shqetësuarit realisht mbi fatin e këtij vendi simbol të kujtesës kombëtare, dhe mbi aludimet e anatemimet e shprehura, sqarojmë disa fakte të rëndësishme:
Prej më shumë se tre vitesh, regjisori Namik Ajazi, së bashku me shkrimtarin Visar Zhiti, vetë i burgosur politik dhe dëshmitar i atij realiteti, kanë ngritur përpjekjen e një projekti filmik ambicioz, që ka për synim të sjellë në ekran një nga ngjarjet më të rëndësishme të rezistencës antikomuniste në Shqipëri: Revoltën e të burgosurve të Spaçit në maj të vitit 1973”, thuhet në reagim.
Plani për Spaçin
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në nëntor të vitit 2024, ka miratuar projektin: “Ndërhyrje konservuese-restauruese në burgun e Spaçit”.

Projekti është hartuar nga arkitektët Genci Tufi e Klejdia Kore dhe inxhinieri Sokol Ismaili dhe synon të ndërhyjë në 8 hapësira: vendroja, komanda, dhoma e takimeve, infermieria, kuzhina/mensa, fjetorja, vendi i apelit dhe tualetet. Projekti ka një vlerë afro 100 mijë euro.
Sipas planit do të ndërhyhet:
• Vendosje porte metalike ndërmjet objekteve nr 3a dhe 3b.
• Ndërhyrje në rrethimin e sakarpatës të sipërme (i ulët) dhe asaj të poshtme (i lartë) me rrjet teli të thurur.
• Vendosje parmakësh tek shkallaret e objektit nr 3a, suvatim i brendshëm dhe lyerje me bojë.
• Vendosje porte druri në katin e dytë te objektit nr 3.
• Vendosje parmakësh në ballkonin e katit të dytë objektit nr 3.
• Ndërhyrje në vendosjen e rrethimit të lartë në pjesën jugore te objektit nr 3.
• Ndërhyrje në rrethimin e oborrit të brendshëm te objektit nr 4 dhe objektit nr 6a.
• Ndërhyrje në vendosjen e kullës së vrojtimit.
• Plotësimi i mureve të tullës dhe vendosje e dritareve të drurit me tek xham në objektet 3, 3a, 3b, 4, 5 dhe 6.
• Vendosja e kangjellave në objektet 3, 3a, 3b, 4, 6.
• Ndërhyrje në plotësimin e mureve të tullës në objektin 3b, 5 dhe rrënojat e tualeteve.
• Ndërhyrje në vendosjen e kullës së vrojtimit.
• Riparimi i shkallëve me beton në objektin 5.
Por për sa kohë, nuk ka konsultime, nuk ka transparencë dhe Blendi Gonxhe nuk pranon asnjë zë kritik, sinjalet janë se Spaçi do të përfundojë me suva, beton dhe tulla. /Pamfleti

Lini një Përgjigje